Nga Vera Tika
Më 11 maj 2025, zgjedhjet parlamentare në Shqipëri nxorën në sipërfaqe shumë të njohura të vjetra të politikës elektorale, por edhe forma të reja që meritojnë të lexohen me sy kritik. Rasti i Zegjine Çaushit, kandidates së Partisë Socialiste dhe tashmë deputeteje, është një ndër shembujt më të qartë se si gara politike mund të largohet lehtësisht nga substanca dhe të zhvendoset në territorin e spektaklit të përhershëm.
Gjatë fushatës, Çaushi ndërtoi një seri videosh të shpërndara me mjeshtëri përmes rrjeteve sociale, me synim diskreditimin publik të kandidatit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Përmes një gjuhe ironike, montazheve të zgjedhura me kujdes dhe një estetike të qartë turpërimi, ajo krijoi një narrativë të re, ku rivaliteti politik u reduktua në përqeshje publike dhe material viral. Kjo qasje nuk kaloi pa zëra kritikë; përkundrazi, reagime të forta u dëgjuan edhe brenda vetë Partisë Socialiste, duke dëshmuar se ende ekziston një sens publik që e dallon kufirin mes debatit legjitim dhe deformimit të tij në argëtim pa thelb.
Megjithatë, fakti që kjo strategji funksionoi dhe zuri vend në qendrën e vëmendjes, tregon qartë se nuk bëhet fjalë për një përjashtim, por për një simptomë të një procesi më të thellë. Colin Crouch e ka përkufizuar këtë kalim si post-demokraci: një realitet politik ku institucionet formale, partitë, zgjedhjet dhe fjalimet mbeten në vend, ndërkohë që substanca demokratike, hapësira e debatit të vërtetë dhe krahasimit serioz të alternativave, zëvendësohet me menaxhim imazhi dhe manipulim të vëmendjes.
Fenomeni Çaushi, në këtë prizëm, është një formë e lokalizuar e një modeli më të gjerë që ka vite që prodhon forma të ngjashme në Europë. Nuk është rastësi që dikur Berlusconi në Itali shndërroi politikën në një platformë spektakli televiziv, duke përdorur ekranin për të zhvendosur debatet në format e argëtimit masiv. Sot, liderë dhe figura publike në disa vende të Evropës Qendrore e Lindore, të majtë apo të djathtë, ndjekin të njëjtën logjikë: përballjet programore zëvendësohen nga provokimi, videoja, memeja dhe narrativat e personalizuara që flasin më shumë me emocionin e shpejtë sesa me arsyetimin kritik.
Në këtë skemë, Shqipëria nuk është më një rast i izoluar periferik, por pjesë e një zinxhiri ku algoritmet, fragmentimi i informacionit dhe kultura e vëmendjes së fragmentuar përshpejtojnë rënien e substancës politike. Videoja e fushatës bëhet më bindëse se plani i zhvillimit. Shikueshmëria bëhet më e rëndësishme se përgjegjësia. Montazhi ironik zë vendin e fjalës së maturuar.
Në fund, pyetja nuk është se si do të justifikohen protagonistët, por si do të përballet shoqëria me këtë normalizim të politikës si produkt argëtimi. Spektakli që dikur ishte mjet periferik i propagandës, sot shfaqet si zëvendësim i përmbajtjes. Çdo “klikim” që forcon këtë logjikë është një votë më shumë për të mbajtur gjallë një post-demokraci ku ironia është më e fortë se argumenti dhe ku llogaridhënia mbetet gjithnjë një hap prapa shfaqjes.
Modele të tilla të përziera — nga Berlusconi e deri tek shumë liderë të rinj që përdorin gjuhën e rrjeteve si fushëbetejë spektakli — tregojnë se zbrazëtia nuk ka më kufij gjeografikë. Pyetja thelbësore mbetet se cili është kapaciteti për të rindërtuar hapësirën demokratike si fushë ideje dhe përgjegjësie, jo si skenë e një seriali pa fund.
* Eksperte e fenomenit të ekstremit të djathtë
Universiteti Panteion, Athinë