Nga Dhimiter Gjoka
“Mjeshter i Madh”
Në datat 20 dhe 21 Qershor u zhvillua festivali i gjashtë i këngës polifonike “Netët e Bejkës së Bardhë” në Pilur të Himarës. Mora një ftesë nga Aleksander Çipa, djali i poetit “Nderi i Kombit” Lefter Çipa mik i vjetër i njohur nga unë jo vetëm si Himariot por gjithandej ku ka patur koncerte me grupin e famshëm të Pilurit dhe në disa raste si regjisor kam patur mundësi ta regjistroj për në ekranin e televizionit. Me Lefterin jemi ulur shpesh në Himarë ku rreth filxhanit të kafesë e ndonjë gote rakie se Lefteri e kishte për qef atë të uruar” ujë të bekuar”, kemi biseduar gjatë për artin e kulturën jo vetëm himariote por edhe për atë kombëtare. Me këtë respekt jo vetëm si krijues i jashtëzakonshëm që i dha polifonisë Piluriote emër të madh dhe që do mbetet në shekuj si madhështi me ato tekste ku forca e vargut të rrëmben ,të drithëron e të mbush apo më sakt të ngop edhe me zërat e zgjedhur për së mbari prej tij por edhe si njeri, prind e shok i rralle erdha për ta respektuar me përulësi.
Teksa ngjitesha për në Pilur mu kujtua viti 1984 , kur mbi një makinë të kooperativës bujqësore të Himarës së bashku me babain tim Koco Gjoka dhe shokë të tjerë të tij ish partizanë nga krahina e Himarës po shkonim për të festuar përvjetorin e 40 të batalionit të Pestë të Brigatës së pestë sulmuese të ushtrisë Nacional Clirimtare Shqiptare. Aty mbi podiumin e lapidarit kushtuar kësaj ngjarje u bë edhe një fotografi e cila mbeti si një kujtim i bukur nga fotografi i mirënjohur në gjithë fshatrat e Himarës i dalluar për kompozimet e tij Ilia Goro.
Sheshi rrotull Rapit të lashtë në qendër të tij ishte zbukuruar hijshëm dhe dukej që ishte bërë një punë mjaftë e kujdesshme nga organizatorët dhe c’mora vesh më vonë në krye qëndronte Kristo Çipa “Mjeshtër i Madh” vëllai i legjendës Lefter Cipa. Ai lapidar ishte kthyer në një skenë ku mua më dukej që lidhej bukur trinomi Pushka , Pena dhe Kënga, simbole këto të cilat kanë shoqëruar në shekuj historinë e lavdishme Himariote.

Sivjet ishte edicioni i gjashtë i Festivalit dhe kurioziteti ishte shumë i madh për grupet që do të merrnin pjesë. Së bashku me Migenën, gruan para se të fillonte festivali kishim më shumë se gjysëm ore kohë i ramë rrotull sheshit ku takuam shumë të njohur të vjetër dhe të rinj. Së pari na bënë shumë përshtypje banorët vendali mjaftë të mirësjellë të cilët të veshur bukur kishin rrethuar sheshin në pritje të shfaqes së grupeve në skenë. Gratë piluriote pothuaj ishin ulur bashkë rreth Rrapit me atë veshjen karakteristike të bregut me rroba dhe mandile të zeza në kokë, bisedonin njëra me tjetrën duke parë rrotull qindra pjesmarrës burra dhe gra të veshur me kostume popullore të cilat ngjanin si një buqet lulesh prurë Pilurit për këtë festë të madhe. Diku aty këtu burrat piluriot ulur tavolinave të bareve rrëkëllenin nga pak raki dhe ashtu të heshtur vështronin cdo lëvizje të bërë në shesh.Të parin takuamDr. Albert Habazaj mikun tim të lavdërueshëm,njeriun që se gjen pak të ulur ku së bashku më 10 Shqiponjat e Tërbacit këto yjet e kengës dhe valles popullore frut i një pune jashtzakonisht të madhe të bërë prej tij ishin pozicionuar në një kënd aty pranë dhe po bënin pregatitjet e fundit për të dalë në skenë. Ishte kënaqësi e madhe kur na kërkuan të dalim në foto së bashku me Migenën për të lënë një kujtim të vyer aty në Pilurin e begatë të këngës.
Takuam Eleni Mërkurin atë grua elegante ,të dashur që me zërin e saj magjik drithëron publikun kudo ku skena ka qënë në dispozicion të grupit polifonik Piluriot. Pak më tutje takuam gazetaren e shkëlqyer të kronikës së zezë në televizionin Top Channel me origjinë nga Gjormi ardhur enkas për të parë festivalin, Anila Hoxha . Takuam me përzemërsi fyelltarin e grupit polifonik Piluriot Milto Gjicalin i cili me atë baballëkun e tij ashtu i thjeshtë na bëri për vete me tregimet e tij rreth familjes, grupit polifonik dhe shoqërisë piluriote. Me Persa Miha ishte takimi tjetër. Zëri brilant i saj në grupin polifonik të Pilurit është i jashtzakonshëm , tepër melodioz e cila di të na transmetoj emocione mbreslënëse si marrëse.. Shumë takuam dhe kaluam bukur nën ledhatimin e erës që ndoshta vargmalet Akrokeraune na e kishin dërguar si përqafim për cka do zhvillohej aty në zemër të tyre. Ato rinin bukur si dekor mbrapa skenës se madhështia ,madhështi kërkon.
Festivali “Netët e Bejkës së Bardhë” nuk është kombëtar ai është zonal dhe me të ftuar pak më tutje zonës ka marr vlera të mëdha kombëtare pasi një pjesë e pjestarëve të grupeve jetojnë mbarë Shqipërise në Tiranë e gjetkë por kur paraqiten këtu përfaqsojnë zonën nga e kanë origjinën.
Dhe me këtë atmosferë të bukur festive në podium ngjitet Kryetari i Bashkisë Himarë Vangjel Tavo dhe u uron grupeve mirsëardhjen. Kështu celet Festivali “Netët e Bejkës së Bardhë” ku një e nga një, më pas, startojnë me këngët e tyre njëra më e bukur se tjetra duke i dhënë vlera të jashtëzakonshme polifonisë tonë.. Duartrokitjet treguan kënaqësi, respekt dhe nxitje për të tjera paraqitje edhe më të bukura në festivalet e ardhshme. Cdo grup polifonik kishte në përbërje marrës të shkëlqyer ashtu sikundër hedhësa që tregonin për një profesionalizëm të lart . Grupet në tërësinë e tyre, marrësit, hedhësit dhe zërat e isove krijonin një ansambël harmonik ku, sa bukur vinin në sytë e veshët tanë me plot emocione ato krijime të jashtëzakonshme.
“Netët e Bejkës së Bardhë” jo vetëm që ndricuan natën Piluriote por i dhanë edhe ditëve shkëlqimin e pamatë me shumëllojshmërine e kostumeve, buzëqeshjen e dhënë nga cdo pjesmarës apo romuzet miqësore të hedhura aty këtu.
Familja Cipa nismëtare e këtij festivali dinjitoz tregoi edhe njëherë përkushtimin për ta lartësuar emrin e zotit të tyre “Nderit të Kombit” Lefter Cipës me punë të tilla të vyera, të rralla dhe të fuqishme për nga mesazhet që përcillen. Lefteri krijoi në mal aty në Pilurin e tij të dashur, mbajti iso me Akrokeraunet dhe mbeti mal mes tyre.
Ishte një eksperiencë e paharruar për mua dhe familjen time ky festival. U shekulloftë dhe u trashëgoftë brez pas brezi.
Pilur – Himarë Qershor 2025