Partia “Nisma Thurrje” ka reaguar pas një konferencë të mbajtur nga Adriatik Lapaj këtë të martë.
Deklarata
Shprehim zhgënjim për qëndrimin e sotëm të z. Lapaj në lidhje me aktet e dhunës dhe kërcënimeve që njerëzit më të afërt të tij kanë ushtruar ndaj aktivistëve dhe drejtuesit të Nismës Thurje.
Jemi të indinjuar nga fakti që z. Lapaj ka refuzuar të distancohet nga familjarët e tij, të cilët kanë kërcënuar drejtpërdrejt z. Shabani dhe familjen e tij.
Jemi po aq të indinjuar që ai përgëzoi drejtuesit e partisë së tij, të cilët kanë përdorur platformat publike për të nxitur urrejtje dhe dhunë ndaj familjarëve të Zeqir Kordhonit.
Duke u sjellë në këtë mënyrë ai tregoi se ka zgjedhur të qëndrojë krah për krah me ata që janë të gatshëm të vrasin për pushtet.
Dhuna si mjet për të zgjidhur ngërçet politike është një vijë e kuqe morale që asnjë person në jetën publike nuk duhet ta kalojë kurrë.
Kjo nuk është politikë.
Asnjë agjendë politike, asnjë ambicie, asnjë rezultat zgjedhor nuk justifikon këtë sjellje.
Kur lavdëron dhunuesit, kur nënçmon viktimat, kur qëndron me të fortët, nuk je më pjesë e debatit demokratik, je bashkëpunëtor dhe frymëzues, në mos porositës i dhunës.
Dhunën nuk mund ta kalojmë si normale. Kërcënimet ndaj familjarëve nui mund t’i pranojmë si normale. Dhe kush nuk i dënon këto akte, apo, më keq, i justifikon ato, nuk duhet të ketë vend në jetën publike.
Ne kërkojmë nga z. Lapaj që menjëherë të:
1. Dënojë publikisht çdo akt dhune ndaj aktivistëve dhe familjarëve të tyre;
2. Distancohet qartë dhe pa ekuivoke nga familjarët e tij të përfshirë në kërcënime dhe shantazh,
3. Kërkojë llogari dhe të mbajë përgjegjësinë ata drejtues të partisë së tij që kanë nxitur urrejtje dhe dhunë.
Çdo veprim tjetër është një tradhti ndaj çdo qytetari që beson se ndryshimi vjen përmes kurajos, ideve dhe respektit, jo përmes dhunës, kërcënimeve dhe frikës.