Nga Aleksandër Çipa-
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi dhe Ministri i Jashtëm i Francës Jean-Noel Barrot në konferencën e përbashkët të shtypit/Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Situata e një rendi ndërkombëtar të rënë, ka hyrë në një kapitull lëvizjesh intensive për një sistem të ri shumëpolar. Të gjithë aktorët madhorë gjeopolitikë janë në komunikime dhe lëvizje të reja për një ristrukturim marrëdhëniesh ndërkombëtare në kuadër global. Ky është proces kompleks dhe ende me shumë të panjohura, përderisa vetë rendi, tashmë i rënë, nuk e ka përfunduar rënien, sikundër koncepti dhe projekti për rendin e ri, janë ende larg së qeni në “hyrjen në fuqi”.
Sidoqoftë, politika dhe diplomacia ndërkombëtare tashmë janë në pikun e lëvizjeve dhe negocimeve të tyre për një strategji rishtare.
Pjesë e kësaj strategjie të re lëvizjeje është edhe vizita e Ministrit të Jashtëm të Kinës, Wang Yi në kryeqytetin e Bashkimit Europian, pra në Bruksel.
Preidenti francez Emmanuel Macron takohet me Ministrin e Jashtëm të Kinës Wang Yi/Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Në këtë tur ministri i Jashtëm i Kinës, përfshiu vizita e takime edhe në Gjermani dhe Francë, dy prej shteteve që përcaktojnë gravitetin diplomatik dhe politik të BE-së. Takimet e nivelit të lartë, por sidomos komunikimet dhe brendia e bisedave të ministrit kinez me krerët e Brukselit dhe të dy shteteve kryesore, shpërfaqën tri adresime të fuqishme të interesit bilateral mes dy palëve kontinentale.
Kina i kërkon BE-së pasjen e një perceptimi objektiv dhe racional si dhe i sugjeron ndjekjen e një politike konstruktive e pragmatiste, ndaj saj.
Ministri i jashtëm Wang shfrytëzoi për këtë mesazh, bashkëkryesimin e raundit të 13-të të Dialogut Strategjik të Nivelit të Lartë Kinë-BE. Madje edhe përgjatë kohës protokollare të takimit me Përfaqësuesen e lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të BE-së, zonjës Kaja Kallas, e theksoi posacërisht mesazhin.
Në gjithë ciklin e takimeve me zyrtarët europianë, ministri Wang, fokusonte pohimin për marrëdhënie bilaterale, ku të dy palët janë partnerë e jo kundërshtarë dhe ftoi palën europiane që dallimet t’i trajtojnë përmes komunikimit.
Kancelari gjerman Friedrich Merz takohet me Ministrin e Jashtëm të Kinës Wang Yi/Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Prej logjikës së të qenit dy ekonomi të mëdha dhe në kushtet e përballjes me një pasiguri dhe paqëndrueshmëri agravuese ndërkombëtare, zyrtarët e lartë të të dy palëve nënvizuan kërkesat për forcim shkëmbimesh, thellim mirëkuptimi, nxitje të bashkëpunimit, koordinim për mbrojtjen e rendit ndërkombëtar dhe investimit për botë të sigurt dhe jo të shprishur. Fuqizim të shkëmbimeve tregtare dhe partneriteteve ekonomike si dhe shtim të qarkullimit të mallrave.
Kreu i diplomacisë kineze ripohoi pikëpamjen e Kinës: për të mos qenë kundërshtarë dhe për të mos patur kundërvënie për shkak të dallimeve dhe mosmarrëveshjeve. Madje, ministri Wang u kërkoi europianëve që bilateralisht të “japin kontribute të reja për qytetërimin njerëzor”.
Në thelbin e vet, kjo kërkesë ka vlerën e një mesazhi për konstruktivizëm gjeopolitik mes dy fuqive.
Në kuadër të kësaj logjike shtetërore u konfirmua prej ministrit Wang përkrahja e përhershme e integrimit Europjan dhe përpjekjet e BE-së për autonominë e vet strategjike.
Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi dhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul në konferencë të përbashkët shtypi/Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Përfaqësuesja e Lartë Europiane, zonja Kallas konfirmoi gadishmërinë e BE-së për rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe ripotencoi thirrjen “për bashkëpunim ekonomik e tregtar më të balancuar dhe të drejtë”. Këtë vullnet e konfirmoi në të njëjtën gjatësi vale edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, gjatë komunikimit me ministrin Wang. Takimi mes dy përfaqësuesve të lartë evokoi jo vetëm 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe BE, por njëkohësisht edhe 80-vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara.
Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u takua me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen/Foto nga Ministria e jashtme e Kinës
Në funksion të këtij konteksti, autoritetet arsyetuan shtimin e komunikimit dhe besimit të ndërsjellë, sikundër marrjen e përgjegjësive si dy qytetërime të mëdha.
Mesazhi që rezulton i përmendur edhe prej analistëve dhe mediave prej këtij takimi, vendoset edhe si një hise e përgatitjeve që dy palët bëjnë për takimin e ardhshëm të udhëheqësve të BE-së dhe Kinës, në kuadër të 50 vjetorit të këtyre marrëdhënieve.
Si në takimin me Presidenten e PE-së ashtu edhe në atë me presidentin e KE-së Antonio Costa, kryediplomati kinez ndau pikëpamjen se të dy palët “mbeten shtylla qëndrueshmërie në sfondin e rritjes së pasigurisë globale”. Madje në pikëpamjen e hershme të Kinës për një botë shumëpolare, Europa konsiderohet si një pol i rëndësishëm. Si i tillë, pra si pol, BE ofertohet prej diplomacisë së Kinës që në botën e sotme të trazuar dhe në transformim, nëse “ mbështesim së bashku multilateralizmin, bota nuk do të zhytet në kaos”. Presidenti i KE Antonio Costa e konfirmoi mbështetjen bilaterale për botën multilaterale.
Kjo vizitë e ministrit të Jashtëm të Kinës në Bruksel, Paris dhe Bon është pjesë e kalendarit dinamik që dy vendet e mëdha po kompozojnë në kuadër të situatës së re gjeopolitike. Aktualiteti botëror i mbarsur me gjendje historike trazirash, i shtyn fuqi të tilla si Europa të kërkojnë pozicionime të reja interesash dhe pozicionimesh strategjike, matanë antagonizmave dhe shtimit të trazirave.
Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi dhe Përfaqësuesja e Lartë Europiane, zonja Kallas organizuan raundin e 13-të të Dialogut Strategjik të Nivelit të Lartë Kinë-BE/Foto nga Ministria e jashtme e Kinës
Pozicioni i ri, në të cilin gjendet Europa, kur aleati i saj SHBA ka nisur zbatimin e një strategjie të re ndërkombëtare dhe federale në kuadër të sistemit ndërkombëtar, e imponon të përballet me dilema të reja dhe sfida rishtare.
Pozicionimet tradicionale dhe sidomos sektare në këto kushte të reja gjeopolitike, nuk ofrojnë zgjidhje, madje mund të shumëfishojnë sfidat penguese dhe me risqe. Ripërcaktimet janë një nevojë imediate, dhe për këtë nevojiten dinamika të reja, qoftë shumëpolare, qoftë edhe bilaterale.
Këto rrethana, po e afrojnë vetë Europën në qasjen e preferimit apo të zgjedhjes së një autonomie strategjike, në kuadër të botës shumëpolare.
Botëkuptimi i ri për botën e ndryshuar është shfaqur, por dinamika ende nuk është në rrjedhën intensive të saj për të fituar kohën e përshtatjes apo edhe përfitimit në epokën e saponisur të shumëkahshmërisë gjeopolitike.