Një selfi me shën Palin

6 Minuta Lexim
Nga Dashnor Kokonozi-
Gjatë vizitës së fundit në Tiranë, ndodhi që të ngre sytë lart, në pjesën e sipërme të një kishe të re dhe të vërej mbi të një shtatore të shën Palit.
Nëse sytë nuk më linin të gaboja shenjti kishte pozicionin e dikujt që po bënte një selfi. Meqë më duhej të ikja, nuk gjeta mundësinë të pyesja e mësoja se cili kishte qenë qëllimi i autorit apo autorëve. Gjithsesi nuk e mora si anakronizëm, por si diçka që do të ketë një interpretim, të cilin edhe pse nuk e dija, nuk kisha arsye të mendoja se nuk ekzistonte.
Vetëm vonë e kam interpretuar si në ftesë për selfi të vetë shoqërisë shqiptare.
Shën Pali është një figurë që më ka tërhequr shumë me personalitetin dhe jetën e tij. Jo sepse është folur se ai ka kaluar diku mbi Tiranë, aty ku gjendet një fshat me emrin e tij, sepse, ndonëse ai vetë u përpoq ta ndryshojë, në atë kohë ende mendohej se në fenë e re të Krishtit mund të ktheheshin vetëm ata që ishin çifutë. Kristianizmi shihej ende si zgjatim, në mos si sekt i judaizmit. Pra, është e paimagjinueshme që Shën Pali, të kishte dëgjuar për ndonjë hebre të fshehur pas malit të Dajtit e të ketë vrapuar për atje.
Veç personalitetit të tij të jashtëzakonshëm (shpesh mendoj se pa të vetë Kristianizmi nuk do të kishte vazhduar të ekzistojë, sepse ai me “epitrat” e tij e mbajti gjallë kur ungjijtë ende nuk ishin shkruar), është me të vërtetë tjetër gjë që ma ka interesuar. Eshtë e kaluara e tij prej vrasësi. Dhe jo e një vrasësi të rëndomtë. Dhe ju do ta kuptoni shpejt përse më intereson fakti se nuk vriste vetëm si ushtarak, nuk vriste sepse rrezikohej vetë, sepse ndëshkonte fajtorë etj., ai vriste njerëz të pafajshëm e të paarmatosur, njerës që nuk besonin të njëjtën gjë si ai.
Shkurt vriste për ideologji. Pali i Tarsës ishte një farise i zellshëm tek vriste të krishterët. Dhe më vonë ai u bë i njohur për letrat “epitrat” që u dërgonet komuniteteve të ndryshme (janë nja 13 por gjysma dyshohet se nuk jane autentike) për t’i mësuar atyre bazat dhe të vertetën e kristianizmit.
Pra, po i afrohemi aty ku desha të dal. Te figura e shën Palit kam dashur të kuptoj si do të integroheshin në një shoqëri të hapur e demokratike ajo masë e madhe vrasësish shqiptarë, që kishin duar me gjak për të mbrojtur një regjim që po shkërmoqej ?
Ketu kujtoj bisedat te ndonjë kongregacion ku më paraqisnin të njohurit e mi në Romë në vitin 1990- 91 -92 e më tej. E, madje deri vonë kujtoj me interes debatet në Kolegjin e bernardinëve në Paris, një “haut-lieu” debatesh të hapura teologjikë e filozofikë.
Qe një masë e madhe njerëzish të të gjitha niveleve të shtetit e shoqërisë shqiptare që sikundër Pali (Sauli) i Tarsës, ndiqnin me frikë e tmerr atë çfarë po ndodhte gjetiu e që midis tyre kishte të gatshëm për të vrarë. Të tjerë vranë deri në fund, pa arritur të shihnin “një dritë që do t’i verbonte për tre ditë” e as të dëgjojnë një zë t’u thotë” « Saul, Saul, përse ti me perndjek? »
Thënë troç , cili do të ishte roli i vrasësve, këtë herë të papenduar, në atë shoqëri që po vinte. Sa njerzore do të ishte një shoqëri e tillë me ata njerëz ne krye?
Shoh që në shtypin shqiptar, imazhin e mirë të një vrasësi të kompletuar e ka z. Gramoz Ruci. Ai ka gjithçka që mund të ilustrojë portretin e një vrasësi, sytë plot urrejtje dhe nofulla të shtrënguara. (Gjithsesi, një portret më realist të tij e ka bërë dikur gazeta Tema)
Ishte funksionar i lartë i një regjimi vrasës deh siç thotë shtypi, nuk ngurroi të vriste deri në fund ata që nuk mendonin si ai. Më tej ai do të jetë funksionari nr.2 i shtetit shqiptar për dekada të tëra.
Tani mbetet të kuptojmë cilat janë mendimet e tij të vërtetë kur qortonte deputetët për mosrespektim të parimeve të demokracisë?
A mund të ndodhë një ditë, që sikundër epitrat e famshëm që shën Pali i Tarsës u dergonte fjala vjen korintianve, brezat e ardhshëm të gjejnë ndonjë epitër ‘”letër” që Gramozi i Tepelenës u dërgonte korçarëve?
Vijon…

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull