Psikiatri Neli Demi: Kur të mirët heshtin me dhimbje dhe të fortët mbretërojnë me zhurmë

4 Minuta Lexim

Nga Neli Demi

Ka biseda të zakonshme që lënë gjurmë të pazakonta. Takime të përditshme, në parqe, oborre, festa fëmijësh apo darka mes të njohurish ku, nën buzëqeshje të sinqerta dhe diskutime të natyrshme, fillon të ndjesh një dhembje të butë por të thellë.

Është ajo ndjesi që më vjen gjithnjë e më shpesh kur ndodhem mes njerëzve të mirë: prindër që punojnë fort, që duan të edukojnë fëmijët me vlera, që shqetësohen për këtë vend dhe që nuk i kanë humbur ende ndjeshmëritë njerëzore. Dhe megjithatë, kur bisedat shkojnë pak më thellë, ndodh diçka. Sikur nën sipërfaqen e kujdesit dhe moralit, të shfaqet një heshtje e lodhur, një cinizëm i qetë, një mosbesim i brendshëm që nuk ka nevojë të shprehet fort për të qenë i pranishëm.

“Nuk ka shpresë”, “Të gjithë janë njësoj”, “Kështu ka qenë gjithmonë”. Fjali që nuk thuhen domosdoshmërisht me mllef, por shpesh me një buzëqeshje të trishtuar, me një lloj dorëzimi që nuk e sheh më as të keqen si skandal, as të mirën si mundësi reale.

Dhe kjo më trazon më shumë se çdo propagandë apo padrejtësi e drejtpërdrejtë. Më trazon fakti që edhe të ndershmit, edhe ata që duan të rrisin fëmijët me drejtësi, po mësohen të jetojnë pa besuar më në të drejtën. Jo nga mungesa e vullnetit, por nga lodhja. Nga mungesa e një reflektimi të përbashkët. Nga zhgënjimi i përsëritur. Nga vetmia.

Ndërsa ndodhem në këtë gjendje mendimesh, më vjen para syve një artikull investigativ për Ksamili-n. “Maldivet e Evropës” siç është pagëzuar shpesh për turistët, po dhunohen brutalisht nga babëzia, betonizimi dhe një sistem që funksionon për të fortët e lidhur me pushtetin. Një tjetër perlë e natyrës shqiptare që po zhduket me leje dhe heshtje. Dhe leximi i këtij lajmi, në mes të këtij reflektimi të brendshëm, më duket si një përforcim brutal i së njëjtës ndjesi: paligjshmëri e ligjëruar, ndërgjegje publike e mpirë.

Në profesionin tim si psikiatër, e kam parë shpesh këtë mekanizëm brenda individëve: kur trauma përsëritet, kur zhgënjimi bëhet normë, kur përpjekja nuk shpërblehet, atëherë njeriu mbrohet përmes mospërfshirjes. Dorëzohet pa e deklaruar dorëzimin. E njëjta dukuri ndodh tani, në një përmasë kolektive. Dhe ndoshta edhe për këtë arsye zgjodha të dal nga roli im si profesionist dhe të përpiqem të bëhem një zë publik si qytetar, si prind, si kandidat në zgjedhje. Jo sepse kam një përgjigje, por sepse ndjej se nuk mund të hesht.

Por ky reflektim nuk vjen nga një vend epërsie. Nuk po e shkruaj këtë si një njeri që nuk ndikohet nga e njëjta lodhje, nga e njëjta frikë, nga i njëjti pezullim shprese që prek shumë prej nesh. Po e shkruaj sepse, pikërisht kur më afrohet edhe mua kjo ndjesi dorëzimi, dua të mbaj veten zgjuar. Të kujtoj veten, dhe ndoshta dikë tjetër që e lexon, se mund të mos jetë vonë.

Ndoshta fjala nuk mjafton. Por kur është e ndershme, mund të bëhet fillimi i një bashkëjetese ndryshe me të vërtetën.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull