Rama ultimatum bizneseve: Keni afat deri më datë 31 korrik të hiqni rraqet nga rruga, po hyjmë në BE

3 Minuta Lexim

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një aksioni kombëtar për pastrimin e rrugëve nga objektet e ndryshme të vendosura në mënyrë të paligjshme buzë akseve rrugore.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës.

Më tej ai sqaron se përjashtohen objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet, të cilët po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm.

“Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi”, paralajmëron ai.

Postimi i Ramës

Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës.

Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë – përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH.

Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull