Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një 39-vjeçari i cili është bërë shkak për zjarrin e ndezur një ditë më parë në fshatin Kakavijë ku u dogjën 4 shtëpi, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas njoftimit se në fshatin Kakavije kishte rënë zjarr, Policia e Gjirokastrës ka mundësuar identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit K. V., 39 vjeç, banues në këtë fshat.
Nga këto veprime rezultoi se 39-vjeçari, gjatë punës në banesën e tij, me troko, ka shkaktuar zjarr, i cili i favorizuar nga era e fortë, ka rrezikuar jetën e banorëve në fshatin Kakavije, si dhe ka djegur 4 banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.