Shperthen Cun Lajci:Juve që kurrë s’më kuptuat !

4 Minuta Lexim
Ju shkruaj nga rruga që digjet, që përvëlon këmbët e mia cullake, e pema mbi kokën time, qan pa zë që s’mund t’më mbrojë, ashtu si ju: të pranishëm gjithmonë, por kurrë për të më kuptuar.
Zemra më rreh si një kambanë e harruar, e librat që mbaj me vete, të rëndë si borxhi i heshtjes, e përcjellin monologun tim – me ju që s’më konsideruat kurrë as sa një njeri të thjeshtë!
Ju deshët gjithmonë dikë tjetër prej meje – më të mbyllur, më të heshtur, më të përkulur, ndoshta edhe më të rremë. E unë… nuk munda të bëhem ai që i përshtatet rrethit të verbër ku nuk ka vend për shpirt të drejtë!
Unë s’e dua fytyrën time.
S’e dua, por as nuk e urrej. Nuk jam armik i saj, siç nuk jam as adhurues i vetvetes. Ajo është piktura e të Madhërishmit — e pambarimtë në mister dhe e përkohshme në trajtë. Dhe veprat e Krijuesit nuk shahen, sepse ai që i fyen krijimet, nuk e ka kuptuar ende heshtjen e Atij që i dha formë dhe frymë.
Unë s’i besoj gjithmonë vetes, por nuk dyshoj në zgjedhjen e saj të parë — në rrugën që ka nisur zemra kur ka filluar të rrahë, në drejtimin që ka marrë shpirti kur ka njohur dashurinë. Sepse ai që do, nuk do vetëm vetveten; dashuria e vërtetë është gjithmonë më e madhe se unë. E në këtë mjeshtëri të brendshme nuk ka vend për përqeshje, për vetëlavd, as për përbuzje.
Jo, unë s’e urrej trupin tim, fytyrën time, zemrën time. Por nuk ndjej asnjë krenari përpara atyre që këto iu mungojnë. Nuk ka mençuri në rrahjen e gjoksit me grushta, në britma vetëlavdëruese – “Unë jam!”, “Unë di!”, “Si unë s’ka kush!”
Sepse, sa më shumë bërtet njeriu, aq më bosh tingëllon brenda.
E mira ime është kjo: që s’jam patriot me gojë e frikacak me vepra. Nuk jam mashtrues nga syri, as trim nga goja. Nuk më joshin hijet e fjalëve të mëdha, as kornizat e florinjta të historisë. Nuk m’shefem mbas shtatoreve të ngrira, as mbas shkronjave që fluturojnë përpjetë e s’prekin kurrë tokën.
Nuk bëj figura shqiponje me gishta.
Nuk kam nevojë, sepse unë fishkëllova si fajkoni qysh në djep. E kur dola bjeshkëve me dele, nuk isha më i njëjti: u bëra ujk, u bëra shqiponjë, por mbi të gjitha u bëra njeri — njeri që di t’ulë kokën, të dëgjojë, të përqafojë.
Jo, unë s’jam dikushi.
Por as i varfër s’jam, sepse gjithë shokët i kam të pasur — me zemër, me fjalë, me ndershmëri. Dhe ata janë populli im.
S’jam askush në librat e historisë, por jam dikush në kujtimin e atyre që më kanë parë të mos i lëndoj, që më kanë dëgjuar të them të vërtetën edhe kur ka djegur.
Sepse lavdia s’është as flamur, as fjalim — por mënyra si sillesh me atë që s’ka asgjë për të të dhënë.
Gjilan,23.07.2025

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull