Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria ka regjistruar afër një milion automjete në qarkullim.
Sipas Institutit të Statistikave (Instat), në fund të vitit 2024 u regjistruan 959 mijë e 226 mjete rrugore, duke shënuar një rritje rekord prej 10.5 për qind në krahasim me vitin 2023.
Rritja nuk është vetëm në numra absolutë. Numri i autoveturave për 1 mijë banorë është rritur nga 292 në 328, duke treguar një përdorim më të gjerë të makinës private në jetën e përditshme të shqiptarëve.
Në disa qytete kjo shifër është edhe më e lartë – Durrësi për shembull, ka arritur në 483 autovetura për 1 mijë banorë, një ndër normat më të larta në vend.
Qarku i Tiranës mbetet qendra absolute e mjeteve rrugore në Shqipëri, me 34.8 për qind të totalit kombëtar.
Shumica e automjeteve në Shqipëri kanë ende kambio manuale (58.8 për qind) dhe një moshë mesatare nga 11–20 vjet (47.9 për qind).
Megjithatë, po vërehet një prirje pozitive drejt përmirësimit të cilësisë së flotës: numri i automjeteve të prodhuara pas vitit 2011 është rritur me 44.4 për qind.
Nafta mbetet mbret në rrugët shqiptare, me 72.9 për qind të autoveturave që funksionojnë me këtë lëndë djegëse.
Por ajo që bie në sy është dyfishimi i përdorimit të veturave elektrike në krahasim me një vit më parë.