Shqipëria është kthyer në një mish-mash ligjesh, dokesh, zakonesh, politikë, ku shteti nuk është shtet, e qytetari nuk është qytetar, e ligjet janë thjesht gërma mbi letra.
Shteti si balonë tabake
Me zë dhe figurë kryeministri Edi Rama bën thirrje për investime në Theth…por nuk legalizon tokën.
Bëhet fjalë për një nga zonat më të bukura, më të mbrojtura, etj fjalë të mëdha për turizmin dhe zhvillimin, por nuk ka patrullim, nuk ka kontroll, pushteti lokal është inegzistent, për të mos thënë i korruptuar thellësisht, siç edhe akuzuan banorët publikisht (ndonjë hetim?!).
Dhe për ta mbyllur qerthullin e balonës tabake, asnjë lloj komunikimi me banorët, thjesht urdhëra dhe ekzekutim.
Qytetari emancipim në tentativë
Nuk është më një “fshatar i thjeshtë”, por s’mund të thuash as se është qytetar i përgjegjshëm që zbaton ligjet edhe kur shteti s’e ka mendjen, apo i ka ikur mendja, që paguan taksat edhe kur ka mundësi t’u shmanget me ndonjë bakshish nën dorë, apo me plan biznesi.
Jetesa, vetëm 5 vite nga 2030 kur “do bëhemi pjesë e BE”, është në realitetin “kjo ku ndertojmë është toka jonë” dhe kjo duhet të prevalojë mbi çdo ligj.
Dhe qershia mbi tortë: Besojnë fjalën e një politikani, kryeministrit, më shumë se ligji. Gabimi fatal i një shoqërie mësuar pa institucione të besueshme, e aq më keq, mësuar me zakonin e vjetër se udhëheqësi ua zgjidh të gjitha.
Shteti dhe qytetarët secili n’hesap të vet
Shteti nuk ka një rregjim ligjor njësoj për të gjithë nga jugu në veri. Prej 12 vitesh nuk ka arritur të legalizojë dhe zgjidhë çështjen e pronave sidomos në zonat me përparësi (apo ndoshta është formulë?!). Dhe pastaj vepron me impulse, aq më keq me impulset e një njeriu të vetëm që shndërrohen në aksione alla “blickrieg”.
Shteti, kryeministri vetë, sokëllin, rrëzon, akuzon, kërcënon për ndërtime brenda një fshati të vogël qoftë edhe “kartolinë”, por një gjysëm fjale për ato “pikat e voçkla” që po t’u afrohesh janë shndërruar në fjetore gjigande duke traumatizuar natyrën.
Nga ana tjetër qytetarët tregojnë haptas fare se as kanë besim e as e njohin gjykatën, shtetin e së drejtës, por më shumë i referohen “kanusë”; ndërtoj se është toka ime, këtu kam eshtrat e të parëve, më njeh fshati, do marr gjak e hak. Hëm, ndoshta harrojnë se sistemi funksionon me ligje, as me besë e as me llafe burrash, qofshin këta kryeministra, apo me dy pëllëmbë mustaqe. Për të ndërtuar duhet leje, jo miratim moral e para nën dorë.
E për ta banalizuar fare gjithë situatën, hallit të madh të banorëve, duan t’i shkëpusin ndonjë copë vëmendje përfaqësues të forcës politike më rrumpallhane në vend, e plot figura të tjera ku serioze e ku qesharake.
Si duhet të funksionojë?
Shteti, pushteti lokal tregon publikisht zonat e lejuara për zhvillim. Qytetari nuk ndërton pa marrë leje.
Shteti ofron legalizim, dhe pajisje me letra të drejtë dhe jo selektiv. Qytetari nuk gjen miq e zarfa nën dorë duke përfituar padrejtësisht.
Shteti ndihmon me kreditim për turizëm lokal të ligjshëm. Qytetari formalizon aktivitetin, paguan taksa, rregjistrohet.
Shteti krijon plane afatgjata, jo vendime ditore e javore. Qytetari bashkëpunon me pushtetin vendor me ide, propozime.
Në vend të kësaj, çfarë kemi: Pushtet vendor të korruptuar dhe shtet abuziv me forcën, qytetarë të pandërgjegjshëm dhe kundërshtarë të ligjeve, kërcënime dhe sjellje si në tre-katër shekuj më parë, përmendje gjaku e fyerje nga të gjithë krahët, turistë që zgurdullojë sytë. Pothuaj asnjë segment që funksionon normalisht. E mbi çdo gjë, shkëlqen sjellja e kryeministrit që duket se ka ardhur para një muaji në pushtet për herë të parë.