Veliaj njihet me akt-akuzën, ‘topi’ në fushën e mbrojtjes

2 Minuta Lexim

Pas më shumë se pesë muajsh në izolim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është njohur ditën e sotme me akt-akuzën e hartuar nga Prokuroria e Posaçme. Ky zhvillim shënon një kthesë të rëndësishme në procesin penal ndaj tij, por edhe ngre sërish pikëpyetje mbi respektimin e procedurave ligjore dhe të drejtave themelore të të pandehurit.

Përpara se Veliaj dhe avokatët e tij të njoftoheshin zyrtarisht me akt-akuzën, pjesë nga dosja hetimore u bën publike në disa media, një ditë më herët. Kjo praktikë, e përsëritur tashmë në disa raste, përbën një shkelje të së drejtës për një proces të rregullt dhe nënvizon bashkëveprimin e dyshimtë mes strukturave të drejtësisë dhe segmenteve të caktuara të medias.

Tashmë që SPAK ka dorëzuar një akt-akuzë voluminoze prej rreth 500 faqesh, e shoqëruar me 60 mijë faqe të tjera dokumentacion mbështetës, vendimi për hapat e mëtejshëm kalon në duart e mbrojtjes. Avokatët e Veliajt duhet të vendosin nëse do të kërkojnë kohë shtesë për paraqitjen e provave ose do të shkojnë drejt ballafaqimit në gjykatë.

Një tjetër aspekt është fakti që Prokuroria e Posaçme kërkon nga të pandehurit pagesën e një tarife prej 3 mijë euro për akses në dokumentacionin voluminoz të çështjes. Kjo është paradoksale, sepse nuk mund t’i kërkosh një personi që ndodhet në burg të paguajë për të mësuar se për çfarë akuzohet. Në rastet normale, tarifa të tilla vlejnë për palë të treta dhe jo për vetë të pandehurin. Për më tepër, përcaktimi i këtyre tarifave është kompetencë e Ministrisë së Financave dhe jo e SPAK-ut.

Pas kësaj faze formale, të gjithë sytë do të jenë nga studio ligjore e Veliajt, e cila duhet të përcaktojë strategjinë e mbrojtjes: nëse do të sfidojë akuzat në sallën e gjyqit, apo do të kërkojë kohë shtesë për paraqitje të fakteve në favor të klientit të tyre./ TemA

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull