Vijon të jetë aktive vatra në Parkun e Prespës, digjen 7 hektarë bimësi

2 Minuta Lexim

Zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës vijon të jetë aktiv për të dytën ditë me radhë. Rreth 150 forca janë angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, bëri me dije se deri më tani janë djegur rreth 7 hektarë me bimësi, por falë ndërhyrjes në kohë dhe uljes së temperaturave, situata pritet të vihet nën kontroll.

“Që para dy ditësh kemi marrë njoftim për një vatër zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës. Reagimi i shpejtë i strukturave vendore dhe i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura bëri të mundur një mobilizim të menjëhershëm. Sot është dita e dytë që po punojmë intensivisht, që nga ora 05:00 e mëngjesit. Janë angazhuar rreth 150 forca dhe dua të falënderoj të gjitha ekipet për përkushtimin”, u shpreh Jole.

Sipas tij, krahas Parkut të Prespës, të gjitha vatrat e tjera në territorin e qarkut janë neutralizuar dhe situata është aktualisht e stabilizuar.

Në raportin zyrtar të prefekturës bëhet e ditur se:

Në fshatin Strelcë, Njësia Administrative Gorë, Bashkia Maliq, zjarri është shuar plotësisht dhe vijon vetëm monitorimi në terren.

Në zonën midis fshatrave Dishnicë dhe Barç, Njësia Administrative Bulgarec, Bashkia Korçë, vatra është neutralizuar dhe situata paraqitet e qëndrueshme.

Në fshatin Lajthizë, Bashkia Pustec (segmenti rrugor Zvezdë–Goricë), zjarri është nën kontroll. Edhe pse ka ende prezencë tymi brenda sipërfaqes së djegur, nuk ka rrezik për përhapje të mëtejshme.

Për datën 28 korrik, në orët e para të mëngjesit, është planifikuar një tjetër ndërhyrje në zonën e Lajthizës me 51 forca të angazhuara.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull