Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i 28-vjeçarit Aleksandër Matoja, i ndaluar në zonën e Alliasit në kuadër të operacionit policor “Black Market”.
Sipas burimeve hetimore, armët e zjarrit që u sekuestruan në makinën e Matojës kishin ardhur nga Turqia dhe ishin destinuar për t’u shitur në Tiranë kundrejt 3500 euro secila.
Dyshohet se blerësit ishin anëtarë të një grupi kriminal aktiv në zonën e Freskut, të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, shkruan A2 CNN.
Aleksandër Matoja rezulton emër i njohur për Policinë e Shtetit. Ai ka qenë më herët i arrestuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, ndërsa tashmë akuzohet se ka kaluar në tregtinë e paligjshme të armëve të zjarrit.
Hetimet kanë nisur për të zbuluar rrjetin e plotë të furnizimit dhe destinacionin përfundimtar të armëve, ndërsa pista kryesore mbetet përfshirja e grupeve kriminale që operojnë në kryeqytet.