CEO kinez i “Banker Petroleum Albania”, Hong Ping Xiao dhe ish-drejtori shqiptar Leonidha Çobo do të qëndrojnë në qeli. Kështu kanë vendosur togat e zeza të Gjykatës së Apelit, pas një seance maratonë të nisur prej mëngjesit të ditës së djeshme, datë 5 Gusht.
Kompania naftënxjerrëse me origjinë kineze, akuzohet se gjatë 20 viteve të fundit ka krijuar dhe zbatuar një skemë mashtrimi me detyrimet ndaj shtetit, duke mos deklaruar të dhënat reale nga shitjet dhe eksportet, dhe rrjedhimisht figuronte në regjistrat tatimorë me humbje.
Nga hetimi, u arrit që të grumbullohen prova të mjaftueshme për të evidentuar skemën e mashtrimit që kompania në fjalë ka bërë përgjatë 20 viteve të fundit. Bankers ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë.
Ama rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar të ligjshëm ndalimin e Hong Ping Xiao, Leonidha Çobo dhe shtetasve të tjerë, duke i lënë në qeli. Ndërkohë, masat e tjera të sigurisë për ish-zyrtarë të kompanisë përfshijnë 4 “Arrest në shtëpi” dhe 3 masa “Detyrim paraqitje”.
Kompania e drejtuar nga Kinezët, Bankers Petroleum i kishte bosh llogaritë shqiptare. Revista Newsbomb.al ka dalë në treg me numrin e ri më 20 korrik, duke zbardhur të plotë dosjen e hetimeve, për kompaninë që eksportoi sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave 6,37 miliardë dollarë naftë jashtë Shqipërisë nga viti 2005.