Ndahet nga jeta gazetari dhe analisti i njohur Artur Zheji
Arresti kardiak i ka ndërprerë jetën gazetarit dhe analistit të njohur Artur Zheji.
Pas gjashtë ditësh do të shënonte 64 vjetorin e ditëlindjes së vet.
Lajmi tronditës për familjarët, kolegët, miqtë dhe fansat e tij vjen nga qyteti bregdetar i Sarandës, ku ai ndodhej me pushimet verore.
Artur Zheji konsiderohej ndër gazetarët, publicistët dhe analistët me erudicion të lëvdueshëm. Ai pati një karrierë të gjatë në mediat dhe publicistikën shqiptare si dhe ato ndërkombëtare.
Zheji lindi më 29 gusht 1961 në Tiranë, në një familje të lidhur ngushtë me artin dhe kulturën shqiptare. Ishte djali i gjuhëtarit e përkthyesit të njohur Petro Zheji dhe i aktores së njohur Besa Imami.
Raporti kulturologjik dhe intelektual me vatrën familjare, përgjatë gjithë jetës,i dha mundësinë të shfaqej si ligjërues dhe komunikues publik me dimension të veçantë intelektual e kulturor.
Për disa dekada ai shërbeu në spektrin multimedial të Shqipërisë. Prej disa vitesh raportoi dhe pati analiza në radio të njohura italiane.
Më pas, në disa televizione shqiptare, pati shkëlqim si moderator dhe analist debatesh politike dhe gjeopolitike, duke shënuar një kulm ne fund të viteve ‘90 në televizionin kombetar Arberia, sidomos gjatë raportimeve nga luftrat në Ballkan e veçanërisht gjatë Luftës në Kosovë.
Zheji ka qenë drejtues i Radio Televizionit Publik Shqiptar dhe më pas në disa media të shkruara, kryesisht gazetën “Mapo”, duke u dalluar për shkrimet analitike dhe stilin kritik.
Prej vitit 2017, emri dhe imazhi i tij u lidh fort me emisionin “360 Gradë”, që i shtriu transmetimet në Ora News e më pas në ABC News, ndërsa administronte deri në ndarjen nga jeta median e re online 360grade. al…
Gazetari Zheji do të mbetet në kujtesën e publikut për stilin e vet oratorik, pasurinë shprehëse që mbartte, për forcën verbale të polemikës dhe sidomos për integritetin dhe ndjeshmërinë e lartë në mbrojtje dhe shprehjen krenare të identitetit të vet kombëtar shqiotar.
Fjala dhe qëndrimet e analistit Artur Zheji, përbënin një pikë reference për shumë kolegë të huaj që ndjekin dhe merren me problematikat shqiptare në rajon.
Gjuha dhe aftësia shkrimore e Artur Zhejit përbëjnë një kuotë standarti, cilësie dhe intelektualizmi në mediumet tona, deri më sot.
Ndalja e papritur e jetës së tij krijon një ndërprerje të ndieshme në fjalën dhe shfaqjen mediatike, në gamën e analizës politike dhe debatit sociopolitik shqiptar si dhe në rrafshin e polemikës apo diskutimit të çështjeve historike dhe identitare me kolegë, media të rajonit dhe të huaja në përgjithësi.
Ndarja e papritur nga jeta e Artur Zhejit është një akt pikëllimi për shumëkënd që e ka njohur, që e ka përcjellë apo që e ka ditur se nga vinte dhe çfarë përfaqësonte.
U prehsh në paqe kolegu dhe miku ynë Zheji!
Ngushëllime familjes!
I paharrueshëm je.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
Tiranë