E hëna e 25 gushtit do të jetë një ditë në nder të Artur Zhejit.
Nga ora 10:00 deri në mesditë, në mjediset e Universitetit të Arteve organizohen homazhet për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej figurave më të rëndësishme të publicistikës moderne.
Ceremonia private do të mbahet më pas tek ‘Alba 2000’. Artur Zheji do të prehet në Tufinë, pranë të atit, gjuhëtarit të madh Petro Zheji. Shqipëria humbi një mendimtar të rrallë, analist, gazetar me karrierë të gjatë e të suksesshme, që u largua nga jeta befas në një moshë të re 63-vjeçare, duke lënë një boshllëk në jetën publike.
E quante “zonjë madhështore” vdekjen, në shkrimin dedikuar ndarjes nga jeta të Ismail Kadaresë, e një vit më vonë çfarë ai përshkruante si lutje e heshtur e njeriut për të shtyrë takimin me të, nuk u dëgjua. Nuk arriti dot të festonte më 29 gusht ditëlindjen e tij të 64.
Si pasojë e një arresti kardiak, Artur Zheji u nda nga jeta të shtunën në një moment pushimi me familjen në Sarandë, lajm që ka tronditur jo vetëm të dashurit e zemrës por edhe mbarë shoqërinë shqiptare kudo ndodhur.
Artur Zheji e kishte të trashëguar dashurinë për kulturën e dijen, i lindur në Tiranë me babanë gjuhëtar dhe të ëmën aktore, bazat e tij ishin të forta për të pasur një rrugëtim që la gjurmë në gazetari dhe filozofi politike, me mendimet e tij kritike të vyera.
I diplomuar për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, puna e parë e tij u shënua në Teatrin Kombëtar si dramaturg. Më tej zhvilloi karrierën në median italiane gjatë viteve 90. Ishte lufta në Kosovë që e riktheu në Shqipëri ku me përvojën ndërkombëtare i dha një frymë të re televizionit me emisionin “Luftë apo paqe në Kosovë”.
Artur Zheji nuk e ndali hapin vetëm në një fushë, por dha kontribut të çmuar në disa institucione kryesore mediatike.
Në rolin e drejtuesit në RTSH, në agjencinë telegrafike shqiptare dhe në gazetën mapo, ai u dallua për stilin e mprehtë dhe analizat e thelluara. Vitet e fundit u identifikua me emisionin “360 gradë”.
Për penën e tij të mençur, intelektin e shquar, ai ishte edhe një bashkëpunëtor i ngushtë me Top Channel, që do të mbahet mend për lidhjen e fortë me Shqipërinë dhe do të mbetet një pikë referimi për gazetarinë shqiptare.