“Në pijetore unë jam ulur”, historia e dhimbshme e këngës së krijuar në burgun e Spaçit

2 Minuta Lexim

Serenata e krijuar mes telave me gjëmbaNË PIJETORE UN JAM UL’

Jam në një mbrëmje me familjen e z. Bujar Bakallit, disident e patriot dhe një ish i dënuar politikish i Spaçit.
Mes gëzimit në darkën familjare, dëgjojmë e këndojmë këngën “Në pijetore unë jam ulur” të kënduar nga vëllezërit Prifti.
Mbas mbarimit të këngës, Bujari më thotë,

– Kjo këngë është kompozuar në burgun e Spaçit.
Më erdhi habi, dhe e pyes.
– Kush janë autorët?
Dhe ai vazhdon me një dhembje, që vinte nga shpirti i tij.

– Muzikën e bëri Andon Vanko, korçar i dënuar me 20 vite burg, tekstin e saj poetët Astrit Delvina dhe Gëzim Medolli, edhe këta të dënuar politikisht me nga 21 vite burg.
Ndez një cigare e vazhdon me nostalgji nën tingujt e bukur të serenatës:

– Orkestrimin e bëri Ali Hoxha, me epitetin Li Trompa, kish mbaruar konservatorin në Pragë, Çekosllavi, për vegla frymore, i dënuar politikisht dhe ka berë mbi 17 vite burg.
Origjinali i kësaj kënge është kënduar nga të burgosurit e Spaçit e përshtatur nga maestro Lluk Kaçaj, një bas i kalibrit botëror, ku mes “këngëtareve të Spaçit ” ishte Stavri Rafaeli, një nga tenorët më te shquar lirik të kohës, i dënuar me 25 vite burg dhe mes tjerëve isha dhe unë- thotë Bujari (i arrestuar në vitin e tretë në Liceun e Tiranës ku studionte për violinë dhe bëri 15 vite burg).

Habitem që Vëllezërit Prifti, o nuk e dinë, o nuk e përmendin këtë të vërtetë, duke i marrë atributet e krijimit të kësaj perle. Serenatë e krijuar në vendin e telave me gjemba, në ferrin shqiptar, për t’i dhënë frymën e jetes dhe të shpresës bashkëvuajtësve të tyre.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull