Në Shqipëri e lanë pa punë, e hoqën dhe nga Parku i Karavastasë! Ardian Koçi merr çmimin “Njeriu i vitit 2025” në Gjermani

3 Minuta Lexim

Ardian Koçi, ish-drejtori “heroik” i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, ka marrë çmimin “Njeriu i vitit 2025” nga fondacioni gjerman “EuroNatur”. Pasioni dhe puna e tij heroike për mbrojtjen e këtij parku, për të cilin pushteti i shpalli luftë dhe i ndërpreu fondet derisa e largoi, është vlerësuar nga të huajt.

“Në shenjë vlerësimi për përkushtimin e tij të vazhdueshëm dhe të palëkundur ndaj ruajtjes së trashëgimisë natyrore të Evropës, në veçanti për përpjekjet e tij në mbrojtje të natyrës në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta në Shqipëri”.

Ky është motivacioni i fondacionit gjerman për Ardian Koçin, zyrtarin e hekurt në ruajtje të natyrës në Shqipëri dhe njeriun që me shumë më pak mjete, e menaxhoi Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, më mirë se shumë parqe simotra në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian.

“Unë e njoh Ardianin prej vitesh dhe e di mirë se sa ka sakrifikuar për t’i shërbyer në mënyrë të palëkundur ruatjes së natyrës në Shqipëri. Nuk njoh askënd tjetër të këtë bërë sakrificën e tij. Ardiani është njeri i rrallë që qëndroi i pathyer në mbrojtje të vlerave, idealeve dhe pasurisë sonë të përbashkët. Dhe tamam për këtë ai u ndëshkua”, shkruan Mirjan Topi, Ornitologu dhe mbrojtës i natyrës.

Të gjithë e mbajmë mend se si institucionet e këtij vendi (të cilit i kishte zbardhur faqen dhe e kishte dalluar botërisht në fushën e ruajtjes së natyrës) u sollën me Ardianin. Dhe më e keqja është jo vetëm institucionet por edhe të tjerë, që nën ethet e paranojës se mund t’u cënohej status quo-ja e tyre shumë apo dhjetëra vjeçare nuk bënë pothuajse asgjë, shkruan ai.

Megjithatë, betejat e mëdha nuk bëhen kur je i vetëm dhe Ardian Koçi u detyrua të emigrojë, duke lënë Shqipërinë. Ama, në Europë ka kush e vlerëson punën dhe pasionin e përhershëm të njerëzve të patriot e të punës, ndaj ky vlerësim i “EuroNatur” është mëse i merituar.

Ceremonia e dorëzimit të çmimit “Njeriu i vitit 2025” për Ardian Koçin do të zhvillohet më 15 Tetor 2025, në kështjellën Mainau në Gjermani.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull