Pagat minimale më të larta dhe më të ulëta në Europë, Shqipëria e fundit në listë për fuqinë blerëse

4 Minuta Lexim

Shqipëria ka fuqinë blerëse më të ulët në Europë, duke tejkaluar edhe Moldavine dhe Ukrainën, që dukshëm kanë pagën minimale më të ulët se vendi ynë

Miliona punëtorë në të gjithë Bashkimin Europian vazhdojnë të paguhen me pagë minimale. Këto pragje synojnë të sigurojnë një standard jetese bazë për punonjësit, megjithëse shpesh nuk kanë arritur të rriten në përputhje me inflacionin.

Që nga korriku i vitit 2025, paga minimale mujore bruto në BE varionte nga 551 euro në Bullgari, deri në 2,704 euro në Luksemburg, sipas të dhënave të Eurostat.

Nëse përfshihen edhe vendet kandidate për në BE, Ukraina ka pagën minimale më të ulët, me vetëm 164 euro në muaj.

Pesë vende anëtare të BE-së—Italia, Danimarka, Suedia, Austria dhe Finlanda—nuk kanë fare një pagë minimale kombëtare.

Kur pagat minimale krahasohen jo vetëm në vlerë nominale por edhe sipas fuqisë blerëse (PPS), diferencat mes vendeve europiane zvogëlohen ndjeshëm.

Në këtë përllogaritje, Luksemburgu ruan pozicionin e parë me rreth 2,035 PPS, ndërsa vendi me fuqinë blerëse më të ulët është Estonia, me 886 PPS.

Nga vendet kandidate për anëtarësim në BE, Shqipëria ka rezultuar me fuqinë blerëse më të ulët për pagën minimale, vetëm 566 PPS.

Pagat minimale bruto në Europë

Siç tregon edhe grafiku më poshtë, ekzistojnë dallime të mëdha në pagat minimale në mbarë Europën, veçanërisht midis vendeve të Evropës Perëndimore dhe Lindore.

Renditja e pagave minimale ndryshon kur llogaritet fuqia blerëse
Kur krahasohen pagat minimale mes vendeve, standardet e fuqisë blerëse (PPS) janë të rëndësishme, pasi kostoja e jetesës ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin.

PPS siguron një krahasim më të drejtë duke përdorur një njësi monedhe artificiale që pasqyron atë që njerëzit realisht mund të blejnë në çdo vend. Një njësi PPS, sipas Eurostat, përfaqëson një vlerë që teorikisht blen të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh në të gjitha vendet.

Kur pagat minimale rregullohen sipas fuqisë blerëse, hendeku midis vendeve ngushtohet ndjeshëm. Për shembull, në Luksemburg paga minimale është 4.9 herë më e lartë se në Bullgari — që ka pagën më të ulët në BE.

Por, sipas PPS, ky hendek zbret në 2.3 herë. Ndërsa Luksemburgu (2,035 PPS) vazhdon të kryesojë, Estonia ka pagën minimale më të ulët sipas PPS, me 886 PPS. Kur përfshihen edhe vendet kandidate për në BE, Shqipëria renditet në fund, me vetëm 566 PPS.

Në krye të listës, pas Luksemburgut renditen Gjermania, Holanda dhe Belgjika. Më pas vijnë Irlanda dhe Franca.

Ndërsa vendet e Europës Lindore dhe Ballkanit shpesh renditen në fund sipas vlerës në euro, performanca e tyre përmirësohet ndjeshëm kur krahasimi bëhet sipas fuqisë blerëse (PPS).
Vendet e Europës Perëndimore vijojnë të kryesojnë, por përparësia e tyre është më e vogël.

Për shembull, shtatë shtete anëtare të BE-së renditen më poshtë se Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Mali i Zi, kur matet sipas PPS. Këto vende përfshijnë: Maltën, Hungarinë, Sllovakinë, Çekinë, Bullgarinë, Letoninë dhe Estoninë.

Përveç Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Rumania gjithashtu ka një renditje dukshëm më të mirë sipas PPS. Edhe Mali i Zi dhe Bullgaria mbajnë pozicione relativisht më të forta në këtë krahasim.

Ndërkohë, Estonia dhe Çekia janë dy vendet që humbasin më shumë terren në renditje sipas PPS, krahasuar me pozicionin e tyre në renditjen sipas euros.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull