Emanuel Shkëmbi, pronari 26 vjeçar i një hoteli në zonën e Borshit, është arrestuar në kushtet e flagrancës nga Policia, sepse ka dhunuar dy punonjëse të tij dhe i ka kërcënuar për t’i vrarë me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e biznesit dhe është fiksuar nga kamerat e sigurisë.
Policia i ka bërë publike pamjet, ndërsa thotë se ka proceduar penalisht dhe babain e të riut, sepse dhe ai ka dhunuar 21 vjeçaren që djali i tij kërcënoi me armë. Bëhet fjalë për shtetasin Alfred Shkëmbi.
Efektivët kanë shkuar menjëherë në ambientet e hotelit dhe falë reagimit në kohë, kanë shmangur përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit. Ata kanë gjetur dhe armën e zjarrit, e cila kishte në krehër tetë fishekë.
Pistoleta ishte fshehur nga një 76 vjeçar, i cili gjithashtu është proceduar penalisht nga Policia. “Arma u gjet dhe u sekuestrua së bashku me krëherin dhe 8 fishekët, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në njërën prej dhomave të hotelit”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit – Datë 26 Gusht 2025
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se një shtetas po kanoste me armë zjarri dy punonjëset e hotelit të tij në Borsh, organizuan menjëherë punën për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi:
• E. Sh., 26 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”.
Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri tip pistoletë punonjëset e hotelit të tij, shtetaset A. O., 21 vjeçe dhe R. O., 53 vjeçe, nënë e bijë.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
• A. Sh., 56 vjeç (babai i autorit), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases A. O.;
• P. B., 76 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se pas konfliktit ka fshehur armën e zjarrit tip pistoletë, të përdorur nga shtetasi E. Sh.
Arma u gjet dhe u sekuestrua së bashku me krëherin dhe 8 fishekët, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në njërën prej dhomave të hotelit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.