PSE NUK NA LEJON SHQIPËRIA TË BLEJMË KRIPTOMONEDHA

14 Minuta Lexim
Para disa kohësh i kërkova bankës sime leje të blej një ethereum.
Përgjigja ishte negative. Bankat shqiptare nuk lejojnë transferta me aplikacionet që shesin kriptomonedha.
Atëherë provova një banke tjetër. Pastaj një tjetër, një tjetër dhe një tjetër.
Katër banka rresht thanë jo.
Nuk mund të them se nuk isha i përgatitur.
Bankat kanë fituar me ligj të drejtën të vendosin se ku i investojmë ne paratë e tona.
Nëse atyre nuk u pëlqen destinacioni, thonë jo dhe t’i mbajnë kursimet të bllokuara.
Përvec cënimit të dinjitetit si klient, t’i pëson dhe edhe një humbje financiare të cilën banka natyrisht nuk e kompeson.
Pra je dy herë i abuzuar dhe i humbur.
Megjithatë nuk është kjo çështja.
Çështja është pse është e ndaluar të blesh kriptomonedha në Shqipëri?
Pse ligjet e Republikës sonë nuk lejojnë të blesh ethereum apo bitcoin apo xrp?
Një bankier e ka të lehtë përgjigjen.
Bankat nuk duan që paratë të investohen në kriptomonedha sepse ky fluks, pra ky fluturim depozitash mund ta rrezikojë vetë bankën.
Kriptomonedhat kanë lindur për të lehtësuar qarkullimin e vlerave monetare dhe mallrave pa ndihmën e bankave.
Decentrazimi i parasë është pa dyshim një revolucion financiar dhe ne jemi në ditët e tij te para.
Ne i ngjajmë atyre njerëzve që në fillim të viteve 1900 kishin frikë nga makinat e reja prej hekuri dhe këmbëngulnin të shkonin në punë me mushka.
Makinat e sotme financiare janë kriptot, mushkat dhe gomerët janë paratë tradicionale që kemi akoma në xhep.
Mirëpo gjërat po ndryshojnë me shpejtësi në favor të makinave të cilat janë më të shpejta se mushkat që u zhdukën nga rrugët e pluhurosura të të botës.
Dhjetë vjet më vonë mund të ketë ende banka, por mund të mos ketë monedha fizike, dollarë, euro dhe lek.
Transanksionet do kryhen me kriptomonedha.
Rrogën mund ta marrësh me kripto dhe nga celulari mund të blesh një makinë në Gjermani me 0.36 bitcoin, apo të paguash pushimet në Himarë me 0.5 ethereum, sipas vlerave që kanë sot.
Paraja cash do zhduket si mushkat dhe gomerët e dashur, por të panevojshëm.
Pikërisht kjo lehtësi e ka kthyer garën e kriptove në një stuhi financiare.
Bota po çmendet duke blerë dhe duke shitur kriptomonedha.
Shtetet po ashtu po blejnë biitcon në mënyrë masive.
Në Kongresin amerikan sapo është prezantuar një propozim që i kërkon qeverisë të blejë 1 milion bitcoin me paratë e taksapaguesve.
Të gjithë nxitojnë të blejnë duke e ditur se bitcoin ka një tavan.
Ndryshe nga paratë që shtypen nga bankat në varësi të nevojave, bitcoin ekziston me një numër limit përtej të cilit nuk ka më.
Krijuesi enigmatik i kësaj parasje financiare, Satoshi Nakamoto ka planifikuar vetëm 21 milion bitcoin.
Asnjë më shumë asnjë më pak. Askush nuk i shton dot. Asnjë shtet, asnjë bankë dhe asnjë fuqi financiare, kushdo qoftë ajo.
Nga këta 21 milion bitcoin, 19.5 milion janë hedhur në treg, janë gërrmuar, apo janë majnur dhe vetën 1.5 milion nuk kanë dalë ende nga miniera.
Nga 8 miliard banorë të Tokës, vetëm 1 për qind apo nja 100 milion njerëz posedojnë një bitcoin që do të thotë se kërkesa do rritet shumë në të ardhmen.
E njëjta llogjikë vlen edhe për kriptomonedhat e tjera pavarësisht se bitcoin dhe ethereum kanë fituar monopolin në treg.
Ky monopoli bashkë me mungesën e rrit çmimin vazhdimisht.
Në pril 2023 një bitcoin vlente 30 mijë dollarë, sot që flasim vlera e tij është 115 mijë dollarë.
Akutalisht vlera totale e kapitalit bitcoin ka kaluar 2.3 trilion dollarë.
Pra bitcoin ka kaluar GDP e Italisë që është pak më pak se kaq, ka kaluar GDP e Spanjës që është 1.7 trilion dhe natyrisht edhe të Rusisë që është 2.1 trillion.
Vetëm gjashtë vende të botës kanë GDP më të madhe se Bitcoin por kjo nuk do zgjasë shumë.
Nga ana tjetër Bitcoin kapërceu vlerën e kompanisë Amazon të Jeff Bezos para disa ditësh për të kapur vendin e gjashtë në botë dhe ndoshta deri në fund të vitit mund ta kalojë Apple që vlen 3.3 trilion dollar si kompania e katërt më e madhe në botë.
Ndërsa Teslan e Elon Musk e ka kapërcyer me kohë.
Si është e mundur kjo?
Pse po blejnë të gjithë kripto?
Ka vetëm një shpjegim.
Makinat e reja sapo kanë hyrë në rrugë për të zëvendësuar mushkat dhe njerëzit po vrapojnë për t’i blerë.
Madje po mbajnë rradhë dhe prandaj çmimi rritet çdo ditë.
Nëse dikush do kishte blerë një ethereum në prill të këtij viti, kur vlera e tij ishte 1500 dollarë sot do kishte fituar tre herë më shumë sepse vlera kërceu mbi 4500 dollarë.
Asnjë banka nuk t’i jep këto fitime.
Asnjë biznes legal nuk t’i garanton këto të ardhura, as blerja e një apartamenti dhe as stoqet financiare.
Nëse i jep bankës dhjetë mijë dollarë, në fund të vitit ajo të jep si fitim nga interesat 400 dollarë.
Kjo shifër është më pak se rroga minimale e Shqipërisë dhe pothuajse e barabartë me një pension mesatar.
Por nëse këto 10 mijë dollarë i investon në ethereum, në fund të vitit mund të fitosh njëzet mijë dollarë.
Kjo është arsyeja pse bankat nuk i lejojnë transfertat me kripto. Ato rivalizojnë fitimet e tyre.
Sidoqoftë unë i kuptoj bankat.
Ajo që nuk kuptoj është pse shteti shqiptar nuk lejon transfertat me kriptomonedha.
Pse shteti nuk i detyron bankat me ligj, të na lejojnë të blejmë kripto siç kanë vendosur shumë shtete të tjera?
Kur arrin në këtë pikë të arsyetimit situata bëhet absurde.
Shqipëria i njeh me ligj kriptomonedhat, por nuk ka asnjë ligj që lejon blerjen e tyre.
Kjo është njëlloj sikur ta njohësh celularin si mjet komunikimi, por të pengosh blerjen e tij në treg.
Nuk e pengon me ligj, por e pengon me mungesën e ligjit.
Pra, nëse një shqiptar do të blejë sot ethereum apo bitcoin ai duhet të shkelë ligjin.
Dhe ja si ndodh ky krim.
Ka shumë dealer në Tiranë që bëjnë punën e bankave.
Ata marrin paratë e tua që mund t’i kesh tërhequr cash nga banka dhe blejnë kripto në emrin tënd.
Ata janë facilitues, lehtësues të një mijë procedurave, letrave, emaileve dhe trasfertash.
Ata njohin gjuhën e applikacioneve financiare si Binance dhe Kraken dhe kanë portofolet e tyre.
Këta tregtarë të guximshëm që i ngjajnë kambistëve të dikurshëm bëjnë atë që duhet të bëjnë bënkat.
Ata garantojnë transaksionin dhe mbajnë një komision 3 për qind për çdo blerje.
Për 5000 dollarë ethereum ata përfitojnë 150 dollarë.
Por unë nuk kam ndërmend t’i qaj hallin bankave.
Ato duan të humbin, le të humbin.
Çështja është se megjithëse shteti i njeh kriptomonedhat, tregtimin e tyre në rrugë jashtë bankare e konsideron krim.
Kjo situatë është idiote.
Nuk dua të humb kohën me këtë absurd që meriton një satirë, por nuk kuptoj pse Shqipëria po e humb këtë shans?
Ka disa shtete sot në botë që po e shfrytëzojë shumë mirë minierën e artë të kriptove që fatmirësisht nuk ekziston në nëntokën e asnjë vendi, por gjendet në kompjuterat e cdo vendi.
Shtetet më inteligjente po përfitojnë të parët.
Një prej tyre është El Salvadori që udhëhiqet nga një djall agresiv, pastaj me rradhe Zvicra, Singapori etj.
Amerika ka premtuar se do blejë më shumë bitcoin se cdo shtet tjetër dhe deri diku po e mban fjalën sepse presidenti i saj i ka lënë investimet në kulla betoni dhe po blen vetëm kriptomonedha me paratë e veta.
Si një vend që i pranon me lehtësi eksperimentet, Shqipëria mund të kthehej në një super hub rajonal kriptomonedhash.
Ti lejosh shtetasve të t’u të bëjnë cfarë të duan me kursimet e tyre është minimumi i lirisë.
Sot 15 për qind e sllovenëve posedojnë kripto, 13 për qind e grekëve po ashtu, 3 për qind e serbëve dhe vetëm 1.43 për qind e shqiptarëve.
E pse duhet të jemi edhe këtu të fundit?
Përvecse të liberalizojë tregun Shqipëria mund ta ulë tatimin e fitimit 15 për qind për kriptot.
Por edhe ky nivel tatim do ishte një mrekulli e vogël nëse bankat të lejojnë t’i kthesh paratë e fituara në bankë, por kjo nuk lejohet.
Paratë nga kriptot nuk i kthen dot në bankë por duhet t’i marrësh cash.
Kështu bankat humbin nga transferta, shteti humb nga tatimi i fitimit dhe informaliteti rritet.
Paratë do vazhdojnë të dalin nga bankat cash për të shkuar drejt kriptomonedhave.
Ky është një cikël i gjatë humbjesh që radari i ngathët i shtetit shqiptar nuk e kap fare.
Mirëpo horizonti po ndryshon.
Paratë nuhasin më shpejt se shtetet.
Të gjitha vendet që janë hapur për kriptot, kanë thitur më shumë investime në bankat e tyre.
Nëse do i shkonte kësaj rruge Shqipëria mund të mblidhte kapitale nga Italia, Greqia, Kosova, Maqedonia etj pra nga vende të cilat janë shumë më konservatore se ne sa i takon kriptomonedhave.
Nën diktatin e bankave të veta Italia po planifikon ta cojë tatimin e fitimit nga kriptomonedhat nga 26 në 42 për qind, cka e bën një vend shumë armiqësor ndaj kriptove.
Italia i ka shpallur luftë kriptove por Shqipëria duhet të ndjekë një rrugë tjetër.
Nëse ajo e ul tatimin atëherë qindra italianë do i blenin kriptot nga bankat shqiptare duke ia paguar tatimet shtetit shqiptar.
Natyrisht Shqipëria nuk blen dot kriptomonedha me paratë e buxhetit të saj.
Duke e njohur pak trajektoren e thashethemeve shqiptare kjo rrugë do shkaktonte një furtunë akuzash, një panik të stimuluar sepse një palë do i thoshte palës tjetër, po i fut lekët e shqiptarëve tek Sudja.
Gjermania konfiskoi rreth 50 mijë bitcoin dhe i shitit për 2 miliard dollarë para dy vitesh.
Nëse do i shiste sot ato do ishin 6 miliardë dollarë, pra një e dhjeta e buxhetit të luftës që po bëhet gati të investojë për t’u mbrojtur nga Rusia.
Kur Gjermania nuk e ka këtë guxim, Shqipëria e vogël nuk mund ta ketë.
Por Shqipëria mund të bëjë dicka që gjermanët nuk e po e bëjnë, por Zvicra po e bën.
Shqipëria mund të krijojë zona të lira kriptomonedhash, ku taksat janë të ulëta, ku prodhohen start up për transferta të shpejta, ku lejohen minierat dhe inovacionet teknologike dhe ku njerëzit edukohen për një botë me kripto.
Kjo nuk është më cështje guximi, është çështje fantazije.
Në 100 vitet e fundit Shqipëria ka patur më shumë guxim se fantazi.
Guxim për të t’i cuar paratë aty ku ato nuk kthehen më, Shqipëria ka patur shpesh.
Nëse pyet chat gpt se në cfarë drejtimesh Shqipëria ka qenë lider në 100 vitet e fundit ajo të jep tre raste.
E para në ndalimin e fesë. Vendi i parë ateist në histori. Lider në botë.
E dyta në numrin e bunkerëve për frymë. Lider në botë.
E treta për ndalimin e tik tokut. Lider në botë.
Kjo renditje më intereson vetëm për të provuar dicka që e mendoj prej kohësh.
Ne jemi lider vetëm në ndalim.
Pra ne ndalojmë para gjithë të tjerëve.
Por tani ka ardhur koha të jemi lider në lejim.
Kriptomonedhat janë një mundësi.
Nuk ka nevojë për guxim, ka nevojë për fantazi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull