Përfaqësuesit ligjorë të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë dorëzuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar një kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal ndaj klientit të tyre.
Në kërkesën e paraqitur nga avokatët, argumentohet se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar tashmë hetimet në ngarkim të Ilir Metës, dhe për rrjedhojë, vijimi i masës së paraburgimit nuk ka më bazë procedurale.
Kujtojmë që dy ditë më parë (4 Gusht) Ilir Metës iu komunikua në SPAK mbyllja e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme për dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.
Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, në përfundim të seancës, tha se prokurorët nuk sollën asgjë të re, qoftë nga hetimi për CEZ-DIA, ashtu dhe për dosjen e lobimit në SHBA.
Avokati theksoi se betejën do ta bëjnë në gjykatë me proces të zakonshëm dhe jo të shkurtuar, çka pritet të jetë një proces i gjatë gjyqësor.