Donald Trump, duke folur për Fox News, la të kuptohej se gjatë samitit me Vladimir Putin u diskutuan çështje të ndjeshme që lidhen me luftën në Ukrainë, duke përfshirë shkëmbime të mundshme territoriale dhe garanci alternative sigurie ndaj NATO-s. Duke komentuar sugjerimin e Sean Hannity për “disa shkëmbime tokash” dhe “më shumë territor për Rusinë” në këmbim të masave të sigurisë për Kievin, Trump u përgjigj: “Mendoj se këto janë gjëra që i negociuam dhe janë gjëra për të cilat ramë dakord kryesisht. Në fakt, mendoj se ramë dakord për shumë gjëra.”
Trump tha se si Presidenti rus Vladimir Putin ashtu edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duan që ai të marrë pjesë në një takim të mundshëm në të ardhmen midis dy udhëheqësve për të diskutuar një rrugë drejt paqes. “Të dy më duan atje,” tha Trump në një intervistë me Fox News. “Dhe unë do të jem atje.” Kur u pyet nëse ishte i bindur se paqja mund të arrihej në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, Trump u përgjigj: “Shumë shpejt, po.” Mundësia që Presidenti i SHBA-së Donald Trump të udhëtojë në Rusi për t’u takuar me Vladimir Putin është e lartë. “Ai mund të fluturojë për në Kamçatka ose Vladivostok, dhe takimi mund të zhvillohet në të ardhmen e afërt”, tha për RIA Novosti Anatoly Aksakov, Kryetar i Komitetit të Dumës Shtetërore për Tregjet Financiare.