UGSH: Kriza e mediave publike në Shqipëri e Kosovë, një turp shtetëror dhe hile politike kundër informimit publik

7 Minuta Lexim
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar nëpërmjet një deklarate zyrtare në lidhje me krizën në të cilën ndodhen mediat publike në Shqipëri e Kosovë.
Në deklaratë thuhet se kriza e mediave publike në Shqipëri dhe Kosovë është një turp shtetëror dhe hile politike kundër informimit publik
Deklarata e plotë:
Tiranë më 4 Gusht 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndjek me shqetësim maksimal situatën e krijuar në Radiotelevizionin Publik Shqiptar dhe në Radiotelevizionin e Kosovës, dy prej rrjeteve më të mëdha dhe të vetmet mediume publike në Shqipëri dhe Kosovë, ku për shkaqe të ndryshme, rrethana dhe situata të ndryshme, po zyrtarizohet e njëjta gjendje që diskuton funksionimin dhe ecurinë e tyre të mëtejshme.
Kriza financiare që ka kapluar RTPSH, sipas pohimeve të fundit të Këshillit Drejtues dhe të drejtueses ekzekutive, ( të zgjedhur para më shumë se tri muajsh), më herët, u parapri nga një krizë drejtimi dhe vendimarrjesh që zgjatën në jashtë çdo justifikimi.
Këshilli Drejtues i mëparshëm dhe struktura drejtuese e zëvendësuar krijuan një situatë kritike për funksionimin dhe menaxhimin e medias sonë publike, duke i shtyrë vendimarrësit politikë të të dy kaheve të arrinin një konsensus për zgjedhje të parakohshme dhe duke rikonfirmuar edhe një herë se media publike në Shqipëri mund të funksionojë vetëm nëse i nënshtrohet vullnetit politik bipolar PS- PD.
Por situata aktuale dëshmon se zgjidhja nuk qenka zgjidhje!
Kriza financiare e RTPSH është një realitet i shkaktuar dhe i imponuar nga përgjegjës të njohur me letra dhe me llogari të padhënë, sikundër edhe një projekt i parathënë dhe me mundësi të afërt imponimi, për të mbetur në krizë.
UGSH bazuar në raportime gazetarësh dhe punonjësish të RTPSH, bën me dije se: aktualisht struktura e pagesave mujore për këtë institucion është shprishur.
Detyrimet financiare për pagesa të pakryera janë shtuar. Ankesat dhe adresimet tek përgjegjësia e paraardhësve të Drejtoreshës aktuale të Përgjithshme të RTPSH, nuk janë aspak zgjidhje, por as detyrë ankesa, për ta reduktuar menaxhimin si vajtim për mos kapërcimin e gjendjes.
Kjo situatë është krijuar dhe do të bëhet edhe më e rëndë. Arsyeja lidhet me kushtet kur, gazetarët dhe krejt punonjësit në RTPSH si dhe në mediat rajonale publike nën ombrellën e kësaj sh.a-je, përkatësisht RT Korca, RT Shkodra, RT Gjirokastra dhe RT Kukësi nuk kanë asnjë strukturë sindikale përfaqësimi, nuk kanë asnjë organizim negociues për të drejtat në punë sipas Kodit të Punës në Republikën e Shqipërisë, etj.etj. Ndonëse për këtë qëllim janë shpenzuar para, projekte dhe aleanca nga OSBE apo tjetërkush. Vendimet e marra ndër vite me firmën dhe vullnetin e vetëm të Drejtorit të Përgjithshëm dhe qokat që u bëhen anëtarëve të KD, sipas një tradite të hershme, e kanë shndërruar këtë institucion në një piramidë financiare, në një gjigand të ndryshkur dhe të penguar, të cilin duan ta kallin( në mosqenie), por që ende u duhet për ta patur simbolikisht.
Konstatimet apo ankesat e publikuara apo të paraqitura përmes letrash apo edhe dialogimesh nga titullarja e re e RTPSH, me Ministrinë e Financave apo dikë tjetër prej Ekzekutivit, janë shenja të mosmenaxhimit dhe të dëshpërimit funksional. Madje këto janë simptoma të plota nënshtrimi shtetëror.
Media publike është aset dhe duhet të bëhet institucion publik kombëtar. RTPSH ( dhe jo sikundër e keqpërdorin shpesh akronimin RTSH), është histori jetëgjatë e gazetarisë dhe funksioneve publike në këtë vend.
Media publike duhet nxjerrë nga kthetrat e synimeve për t’u katandisur në media shtetërore!
Asetet që trashëgon kjo sh.a qoftë godina, mjedise, infrastrukturë, pika shërbimesh, kapacitete logjistike, pagesa e taksës publike dhe parësisht njerëzore dhe ekspertësh profesionistë, lehtësisht e bëjnë të mundur rentabilitetin financiar dhe menaxhues si dhe konkurues të saj në krejt hapësirën kombëtare dhe skenën mediatike të vendit.
UGSH shpreh dyshimin se aktorë privatë mediatikë dhe qarqe të caktuara politike dhe opinionbërjeje janë të insteresuar të mbetet në gjendje krize financiare dhe paralize funksionimi media jonë publike.
Këtë krizë dhe sidomos gropën e pretenduar financiare të shkaktuar ndër vite, do të duhet ta trajtojnë sa më parë institucionet ligjzbatuese dhe Kuvendi i ri që mblidhet në shtator.
UGSH i konsideron të drejta kërkesat për auditim, por kurrësesi nuk mund të pranojë mbajtjen e statusquosë së krizës e cila rrezikon dhe kërcënon ekzistencialisht disa dhjetra punonjës dhe gazetarë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh solidaritetin e plotë me rreth 700 punonjësit dhe gazetarët e Radio Televizionit të Kosovës, të cilët përballen si asnjëherë dhe kurrë ndonjëherë, në historinë e medias publike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me mungesën e financimit nga Kuvendi dhe Qeveria në detyrë, e vendit.
Institucioni i medias publike, i themeluar me ligj të Republikës së Kosovës, urgjentisht duhet të ndërhyjnë për ta zgjidhur këtë situatë dhe të garantojnë opcionin legjitim të informimit publik prej mediumit të vetëm publik që është RTK.
UGSH e konsideron këtë krizë mosfinancimi të RTK-së, papërgjegjshmëri politike të Kuvendit dhe qeverisë në detyrë. Reagimet dhe apelet e shumta të ardhura nga rrjete të shumta organizatash dhe institucionesh ndërkombëtare, në mbrojtje të informimit publik, për këtë krizë në Kosovë, janë alarm dhe goditje e imazhit funksional të shtetit të Kosovës.
UGSH vlerëson se përkimi i krizës financiare në RTPSH dhe në RTK, përkatësisht në Shqipëri dhe Kosovë, është mundësi e një qëllimi shndërrues të tyre në media shtetërore dhe të politizuara. Në këto kushte, ne kërkojmë ndërhyrjen e menjëhershme edhe të organizmave ndërkombëtare që mbrojnë informimin publik dhe institucione të tilla të mediave publike në vendet që aspirojnë anëtarësinë në BE.
Gazetarët dhe punonjësit e medias publike në Shqipëri dhe Kosovë, kanë mbështetjen dhe solidaritetin e plotë të anëtarëve të organizatës sonë dhe më gjerë, të komunitetit të gazetarëve dhe punonjësve të mediave.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull