Show i konformitetit të qëllimshëm edhe triumfi i moralit të skllavit !

4 Minuta Lexim

Nga Irena Beqiraj-

Nën hijet drithëruese të Gjermanisë naziste, një teolog i ri me emrin Dietrich Bonhoeffer dalloi një të metë të thellë dhe të rrezikshme njerëzore: konformitetin e qëllimshëm. Ai nuk ishte thjesht mungesë njohurish, apo një refuzim i pafajshëm për të kuptuar. Përkundrazi, ai ishte një zgjedhje e qëllimshme dhe e vetëdijshme për të shmangur kostot personale. Ishte një akt i kujdesshëm dhe i fshehtë i vetëmashtrimit, shpesh i nxitur nga një narrativë egoiste ose thjesht për të ruajtur një ndjenjë të brishtë rehatie kur situata kërkonte përballje.
Ajo që ka ndodhur dje në Këshillin Bashkiak të Tiranës ku vendimmarrja u bazua jo tek ligji por tek urdhëri është është një kujtesë e fortë jo vetëm e erozionit të moralit individual , por sesi konformiteti i zakonshëm lejon që paimagjinueshmja të normalizohet.
Bindja apo heshtja e socialistëve ne Këshillin Bashkiak nuk erdhi nga keqdashja ndaj Kryetarit , apo shefit të tyre, por nga ngushëllimi i thellë edhe i rremë psikologjik se duke ju bindur urdhërit të një shefi më të madh po shmangin kostos personale të mospajtimit.
Por ç’është e vërteta kjo sjellje a zgjedhje nuk u pa dje për herë të parë. Ajo tanimë është normë e përsëritur në të gjithë shoqërinë tonë. Normë e cila ka krijuar një bashkëpunim të heshtur edhe që i ka mundësuar të keqes së paimagjinueshme të lulëzojë e pakontrolluar.
Makineria në dukje e padëmshme e konformitetit e ngritur brenda institucioneve duke filluar nga partitë, ka prekur gjithë institucionet shtetërore e private edhe fatkeqësisht ka zbritur deri tek oborret e shkollave ku luajnë fëmijët. Ajo ka çmontuar në mënyrë të kujdeshme guximin individual, duke e transformuar ngadalë çdo antar të kësaj shoqërie nga agjentë aktivë moralë në ingranazhe në një aparati joetik, dhe ka instaluar brenda nesh moralin e skllavit .
Morali i skllavit nuk lindin nga keqdashja , por nga refuzimi i qetë dhe këmbëngulës për të parë dhe për të vepruar. Morali i skllavit, lind nga dobësia, frika dhe dëshira për rehati. Ai gjendet tek njeriu që nuk kërkon asgjë më shumë sesa siguri dhe shmangien e dhimbjes.
Erioni korri çfarë mbolli , por jo i vetëm . Duke e kthyer institucionin në një “anije minjsh ” ai ka kontribuar aktivisht në ngritjen e sistemin aktual të dehumanizimit duke mundësuar apo më keq duke i shtyrë individët të kultivojnë moralin e skllavit. Kontrolli është edhe më i fuqishëm kur nuk kalon domosdoshmërisht nëpërmjet shtypjes së drejtpërdrejtë, por kur instalohet nëpërmjet imponimit të konformitet të përhapur dhe jokritik i cili e mbyt mospajtimin përpara se ai të mund të artikulojë veten.
Triumfi i moralit të skllavit po varros cdo aftësi tonën për mendim të pavarur; ka thyer në njëmijë copash busullën tonë etike; na ka lënë pa asnjë pikë referimi ku të mbështesim guximin tonë sado të vogël, për të folur dhe vepruar në përputhje me ndërgjegjen tonë.
Sa herë zgjedhim të mos përballemi me realitete të vështira, siç bëm shumica e kësaj shoqërie, ne heqim dorë nga roli ynë në formësimin e një të ardhmeje më të mirë, duke e lënë të keqen të lulëzojë vetvetiu. Duke vepruar kështu ne kemi vrarë pikërisht shpirtin që e shtyn njerëzimin përpara.
Çfarë mënzyre ! Jo për Erionin por për të ardhmen !

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull