A do të bëhet Kuvendi i Shqipërisë si “merkatua” e futbollit?

4 Minuta Lexim

Nga Artan Fuga-

A do të bëhet Kuvendi i Shqipërisë si “merkatua” e futbollit?

Mua nuk më duket aspak e drejtë, madje shumë shqetësuese, ajo që informohem në media mbi çfarë ka në mend të bëjë partia demokratike me deputetët e vet.
Nëse informacionet janë të sakta gjithmonë! Nëse jo kërkoj ndjesë!

E kam fjalën për atë që deputetë të partisë demokratike t’u kalojnë partive të tjera në koalicion me të në mënyrë që t’i ndihmojë ato për të formuar grupe deputetësh në Kuvend.

Në këtë mënyrë u rrit peshën politike, u zmadhon kohën e ligjërimit, u jep edhe financa më shumë etj.
Nuk më duket fare e drejtë, nuk dua ta them atë që mendoj, por më duket skandaloze, dhe nga ato gabime që pastaj i harrojnë dhe pyesin: Ua e ka fajin populli!

1. Sepse një deputet që zgjidhet ai ka një kredo politike, pra supozohet se është demokrat. Kur e fusin në grupe të tjera parlamentare që u takojnë partive të tjera, ai pranon të ndryshojë zyrtarisht kredo politike, bëhet ku e di unë, agrar, republikan, arvanitas, minoritar, a ku e di unë tjetër. Kjo e bën që publikisht ai ose ajo të shpallet si një politikan që për qëllime pragmatike të ndryshojë këmishë sa herë të dojë! Pse të mos bëhet nesër edhe socialist?

2. Është një lojë me elektoratin demokrat, i cili i voton deputetët për demokratë, kur fap në një mëngjes shtatori ata gdhihen të veshur me ngjyra të tjera politike. Ore do mësohet opozita të dëgjojë elektoratin e vet, apo nuk e çan kryet për të mbasi merr votat?

3. Jep një pamje të gënjeshtërt të spektrit politik shqiptar duke treguar artificialisht që disa parti politike që nuk kanë aq vota sa për të formuar një grup parlamentar, e formojnë me “lojtarë” të huazuar nga partia demokratike. Në këtë mënyrë është pikërisht partia demokratike, nëse e bën, që ndikon për të krijuar një imazh iluzor për demokracinë parlamentare, pra i shërben një propagande sikur kemi një Kuvend me disa zëra politikë.

4. Duke çuar deputetë të saj te grupet e tjera politike, partia demokratike në një farë mënyre kontrollon këto parti të opozitës, sepse sigurisht po t’i tërheqë deputetët e saj më pas, ose të kërcënojë me tërheqje, grupet e partive të tjera e ndjejnë te buxhetet etj.

5. Po të ndodhi kjo, që nuk do ta dëshiroja, do të kishim edhe një rast korrupsioni financiar i bërë me mekanizma politike, sepse nga buxheti do të harxhoheshin lekë artificialisht duke ua dhënë partive politike që normalisht nuk duhet të kenë grupe parlamentare.

Unë uroj që partia demokratike të mos bjerë në këtë tundim që e shndërron Kuvendin në merkato huazimesh apo “shitjesh” lojtarësh si merkatua e futbollit. Po e bëri, “i lumtë”, por të mos habitet pastaj duke rrotulluar sytë në tavan e thënë : uaaaaa si na ndodh kështu!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull