Sot, në orën 10:30, mbahet seanca e radhës për aferën Partizani, me të pandehur Sali Berishën, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerët, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Në seancën e kaluar, të mbajtur më 21 korrik, avokatët e Berishës dhe Malltezit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese me argumentin se duan të gjykohen nga një gjykatë e paanshme, pasi sipas tyre, GJKKO është nën kontrollin e SPAK. Sipas tyre, të gjithë gjyqtarët e GJKKO janë të shantazhueshëm.
Por kjo kërkesë u rrëzua pak ditë më pas, më 28 korrik nga GJKKO. Më herët edhe relatores së trupit gjykues Elsa Ulliri iu refuzua kërkesa për dorëheqje nga çështja nga zv/kryetari i gjykatës. Gjyqtarja kërkoi dorëheqjen me arsyetimin se ka kushërirë demokraten Andia Ulliri.
Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Fatmir Bektashi është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.
Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.