Mbetet mister arsyeja e ekzekutimit, dyshohet me armë me silenciator, të 34-vjeçarit Kristian Kola, i cili u qëllua për vdekje jashtë një lokali mbrëmjen e 4 shtatorit në qendër të Shkodrës.
Kristian Kola dyshohet se është ekzekutuar nga vrasës me pagesë, ndërsa deri më tani policia nuk ka arritur ende në gjurmët e autorëve që qëndrojnë pas atentatit mafioz.
Ndërkohë blutë ende s’kanë një pistë hetimi për eliminimin e 34-vjeçarit pa precedentë kriminalë, i cili kishte një firmë ndërtimi së bashku me babain e tij.
Sipas burimeve, 2 persona me motor kanë ruajtur 34-vjeçarin përballë lokalit ku Kristiani po qëndronte, në zonën e Kinemasë, për një kohë relativisht të gjatë.
Viktima ka qenë nën shoqërinë e dy personave të tjerë dhe në momente atentatorët kanë bërë një xhiro duke vëzhguar situatën.
Më pas janë rikthyer në pikën e tyre të vrojtimit duke mos qëlluar, por kanë pritur derisa personat që ndodheshin në shoqërinë e Kristian Kolës të largoheshin.
Në momentin kur ata kanë ikur dhe 34-vjeçari do të merrte makinën e tij për t’u larguar, autorët me motor i janë afruar.
Njëri prej atentatorëve ka zbritur nga motomjeti dhe e ka qëlluar disa herë me armë duke e lënë të vdekur në vend.
Pasi kreu krimin, autori është larguar nga vendngjarja së bashku me drejtuesin e motorit.
Të shtënat nuk janë dëgjuar në zonë për shkak se pistoleta dyshohet se ka qenë me silenciator.
Policia ka dyshime se motori me të cilin lëvizën autorët e kanë ndjekur edhe para dy netësh viktimën në zonën e Bardhajve, por pa arritur që ta vrasin.
Ndërsa është duke u verifikuar a është i njëjti apo jo, edhe pse hetuesit flasin për një tjetër motomjet në këtë ngjarje.
Viktima ishte një person që lëvizte lirshëm në Shkodër gjatë gjithë ditës dhe nuk ka patur precedent të mëparshëm kriminal. Bashkë me babain e tij kishin një firmë ndërtimi dhe së fundmi po bënin shtrimin e pllakave në rikonstruksionin e Kinemasë në Shkodër. Para afro një viti e gjysmë viktima ka pasur një konflikt për motive të dobëta e ka mbyllur dhe nuk qëndron si pistë hetimore për policinë.
Ndërsa 34 vjeçari ka qenë dy herë për periudha të shkurta jashtë Shqipërisë, por as atje nuk raportohet për përfshirjen e tij në ndonjë konflikt të mundshëm. Grupi hetimor vijon punën për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Shkodër.