“Dajko do të lexojë aktet tona”, Lapaj: Do të përfaqësohemi ndryshe… me juristë

2 Minuta Lexim

Në një intervistë në A2 Puls nga Bruna Çifligu në A2 CNN, kryetari i Partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, hodhi akuza të forta ndaj sistemit zgjedhor, duke e cilësuar atë si një mekanizëm me “dy standarde”.

Lapaj kujtoi se para zgjedhjeve subjekti i tij politik kishte shtrirë dorën e bashkëpunimit ndaj shumë forcave të tjera, duke hyrë në proces me lista të hapura dhe duke vendosur edhe kandidatë fiktivë, në mënyrë që qytetarët të kishin zgjedhje reale. Sipas tij, kjo strategji u përkrah nga mbi 64 mijë votues, çka e bëri lëvizjen një nga forcat më domethënëse antisistem në vend.

Megjithatë, pas zgjedhjeve, sipas Lapajt, marrëveshja e bërë me qytetarët nuk u respektua. “Ky është një sistem që nuk të lë të garosh. Madje, edhe kur përpiqesh të garosh, përdoren mjete deri tek tradhtia mes aleatëve për të zhbërë konceptin e garës”, tha ai.

Lapaj theksoi se ndërsa për Partinë Socialdemokrate u zbatua rregulli i listës së hapur, për lëvizjen e tij kjo nuk ndodhi, pasi një nga anëtarët e koalicionit prishi marrëveshjen, shkruan A2 CNN.

Duke iu referuar deputetes Ana Dajko, Lapaj deklaroi se prania e saj në Kuvend nuk do të jetë në formën klasike të një deputeteje që përfshihet në debate politike, por si një përfaqësim juridik i qytetarëve. “Zonja Dajko nuk hyri në garë për të qenë deputete. Ajo është aty që mandati të mos humbasë dhe që vota e 80 mijë qytetarëve të mos mbetet pa përfaqësim. Ajo do të flasë përmes akteve dhe shkresave ligjore, duke depozituar projektligje që adresojnë problemet e qytetarëve”, tha ai.

Sipas Lapajt, një ekip juristësh i angazhuar në këtë projekt do të punojë për të ofruar zgjidhje konkrete ligjore, ndërsa përplasjet politike me kryeministrin Rama “nuk janë prioritet”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull