Në një mbledhje të rëndësishme të degës së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) në Qarkun Elbasan, e cila u zhvillua këtë mesjavë, janë zgjedhur forumet e reja drejtuese të kësaj strukture lokale, duke përcjellë një mesazh të qartë për vazhdimësinë, unitetin dhe përballjen me sfidat reale të profesionit të gazetarit në vendin tonë.
Në këtë mbledhje, gazetarja e mirënjohur Miranda Sadiku u zgjodh Koordinatore e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Elbasan. Gazetarja Miranda Sadiku është një prurje e re në drejtimin e kësaj dege, e cila do të luajë një rol kyç në bashkërendimin e veprimtarive të UGSH në nivel vendor.
Pjesë e bordit të ri drejtues u zgjodhën gjithashtu gazetarët me karrierë mjaft të suksesshme në mediat kombëtare, Entela Duka dhe Edisona Skënderi, si edhe Taulant Pilavi, administrator i Radio Klea, të cilët garantojnë një përfaqësim të balancuar dhe profesional në drejtimin e mëtejshëm të degës.
Po gjatë kësaj mesjave, gazetari me përvojë Fatmir Popja u zgjodh me shumicë votash kryetar i UGSH, dega Elbasan, duke pasuar në këtë detyrë gazetarin e nderuar Besim Dybeli, i cili dha dorëheqjen pas një drejtimi të gjatë e të suksesshëm të kësaj dege.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, z. Aleksandër Çipa, i cili vlerësoi veprimtarinë e degës së Elbasanit dhe përgëzoi z. Dybeli për integritetin dhe angazhimin e tij në vite. Z. Çipa theksoi se me zgjedhjen e z. Popja në krye të degës pritet një freski në drejtim, por gjithashtu edhe vazhdimësi e një tradite të konsoliduar.
Në fjalën e tij drejtuar kolegëve, kryetari Çipa nënvizoi domosdoshmërinë për unitet dhe qëndrime të përbashkëta, sidomos në sfidat që lidhen me statusin profesional të gazetarëve, informalitetin në tregun mediatik, mungesën e sigurimeve shoqërore dhe mbrojtjes ligjore të punonjësve të medias.
Ai theksoi se institucionet shtetërore si Parlamenti, ISSH dhe Inspektorati i Punës duhet të angazhohen seriozisht për të garantuar të drejtat bazë të gazetarëve dhe bëri thirrje për një dialog të strukturuar dhe të qëndrueshëm me këto institucione.
Mbledhja u mbyll me angazhimin e përbashkët për të thelluar rolin e Unionit si zë i fortë i komunitetit të gazetarëve, për të forcuar etikën dhe standardet profesionale, por edhe për të kërkuar përgjegjshmëri institucionale për të drejtat e punonjësve të medias në të gjithë vendin.