Ish-zyrtari amerikan James Rubin në deklaratën e lexuar në fillim të dëshmisë së tij nga avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ka treguar për ndërveprimet me këtë të fundit përgjatë viteve 1999.
I angazhuar nga sekretarja e kohës së shtetit amerikan, Madeline Albright, Rubin kishte si detyrë mbështetjen e delegacionit shqiptar gjatë Konferencës së Rambujesë si dhe ishte i dërguar i posaçëm për të siguruar demobilizimin e UÇK-së.
James Rubin theksoi se autoriteti i Thaçit ishte i kufizuar dhe se nuk mund te firmoste marrëveshje me palë të tjera pa miratimin e krahut ushtarak si dhe nuk merrte pjesë në bisedimet teknike.
Në deklaratën e tij thuhet se Hashim Thaçi kishte shprehur dëshirën e madhe për të Kosovë demokratike dhe të çliruar nga dhuna.
Sakaq, Rubin ka treguar dhe takimin e fundit me Hashim Thaçin, i cili ka ndodhur në vitin 2019. Ish-zyrtari amerikan tregoi se në atë kohë ai kishte një kontratë me qeverinë e Kosovës ër të përfaqësuar përpjekjet e Thaçit për të arritur paqe me Serbinë.
“Unë isha shumë i gëzuar që ta shoh”, tha Rubin.