Detaje të reja/ Konflikt për dritat e gjata, zbardhet dinamika e vrasjes së biznesmenit italian

2 Minuta Lexim

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e biznesmenit italian, Edoardo Sarchi. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dijese në bazë të dëshmive të personave që kanë qenë të pranishëm është rindërtuar edhe dinamika e ngjarjes. Në polici kanë dëshmuar Eqerem Braçi dhe dy djemtë e tij, miq të italianit më të cilët kishte dalë edhe për gjueti.

Po ashtu ka dëshmuar edhe një banor i zonës që ka stanin afër vendit ku ndodhi ngjarja dhe ka rastisur pranë. Dinamika që ka ngritur deri tani grupi hetimor është se një person tjetër ka qenë duke lëvizur po në të njëjtën rrugë me makinë dyshohet edhe ky i fundit për gjueti. Rruga në fshatin Salari është e ngushtë dhe kur ndeshen dy makina ka pak vështirësi për të kaluar.

Dyshohet se makinat kanë qenë me drita të gjata dhe autori i dyshuar ka pasur një konflikt të çastit për dritat e gjata të makinave dhe pas konfliktit dyshohet se ka qëlluar me armë të llojit pushkë rreth tre herë. A2 CNN mëson se një nga plumbat ka kapur në kofshë biznesmeni italian, një plumb te disku dhe një te goma e makinës.

Plumbi i ka prekur arterien italianit duke bërë që të humbasë shumë gjak dhe t’i shkaktojë vdekjen. Në vendngjarje nuk janë gjetur gëzhoja dhe policia dyshon se autori ka përdorur armë gjuetie që e nxjerr gëzhojën manualisht.

Pas ngjarjes autori ka hipur në makinën e tij dhe është larguar. Më pas një nga anëtarët e familjes Braçi ka lajmëruar policinë.

Në zonë nuk ka kamera sigurie dhe e bën të vështirë zbardhjen e ngjarjes nga policia e cila është fokusuar te dëshmitë, të cilat duhet të vërtetohen edhe me prova.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull