Irena Gjoka do të jetë gjyqtarja e seancës paraprake për dosjen ‘Meta’, e cila kaloi në GJKKO më 29 gusht.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Dosja Meta përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
SPAK bëri me dije se Ilir Meta akuzohet për kryerjen e veprave penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në tre raste, dy prej të cilave në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim“ dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe interesave private”.
Ndërkohë, Monika Kryemadhi akuzohet për të njëjtat vepra penale, duke përfshirë dy raste korrupsioni pasiv dhe pastrim produktesh kriminale në bashkëpunim, si dhe mosdeklarim të pasurive.
Në këtë dosje përfshihet edhe Pirro Xhixho, i dyshuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim. Po ashtu, e ëma e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku të cilat akuzohen për pastrim parash. Gjyqtarja Gjoka ka shqyrtuar më parë edhe dosjen “Partizani”, ku dha masa sigurie për Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin./ TemA (S.P)