Dy ngjarje kulturore në Prizren, me shije të hidhur!

12 Minuta Lexim
I/ Si u përbuzë Nëna Terezë dhe Bekim Fehmiu
II/ Kur Zambaku çel në vjeshtë!
(mos klikoni pa lexuar)
………..
I/Më 2 shtator mora një mesazh nga përfaqësuesja e OJQ CHwB, ku më njoftojnë se në kuadër të Javës së Nënës Tereze, në Shtëpinë e Kulturës në Prizren do të shfaqet filmi artistik kushtuar jetës rinore së Agnesa Bojaxhiut, “La Voce” (Zëri), ku rolin e të atit të saj Nikollë – Kolë Bojaxhiu e luan aktori me famë botërore Behim Fehmiu, dhe më ftojnë që të marrë pjesë. E dija më herët se filmi do të shfaqet në Prizren meqë për këtë më njoftoj koleksionisti i 50 filmave të Bekimit, Edmond Iusufi i cili i vetmi e ka siguruar këtë film. Filmi është xhiruar më 1982 si prodhim italiano kroat nga RAI- UNO dhe Jadran Film, dhe është shfaqur vetëm premiera në Dubrovnik dhe kurrë më në asnjë qytet tjetër të ish Jugosllavisë e as në Itali, shkaku i disa mosmarrëveshjeve të dy regjisorëve. Ishte ky rasti i veçantë për mua, por edhe për publikun prizrenas, e atë kosovarë, (sepse RTK ka refuzuar disa herë ta shfaq këtë filmin si dhe serinë kult televizive italiane ODISEU) që ta shikojmë edhe këtë film me rolin brilant të Bekimit.
Në hollin e Shtëpisë së Kulturës mbërrina ora 17.45 meqë filmi niste të shfaqej ora 18.00, dhe atz pash nuk të vogël të qytetarëve që pak u habita. Hymë në sallë ku u mbushën tre rëndat e parë, kurse pa nisur shfaqja organizatorët sollën edhe një grup të rinjësh diku 30-40. Në sallë me kohë arritën edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti i shoqëruar nga dy deputetë të VV, zoti Artan Abrashi kandidat për kryetar të Prizrenit, Arbër Rexha dhe zv/ministrja e kulturës (?) …që u ulën në rendin e parë si zakonisht si dhe drejtori i Kulturës i Prizrenit. Asnjë nga politikanët e pushtetarët lokal, as përfaqësues të Kishës katolike të Prizrenit, as përfaqësues të OJQ të Kulturës që janë mbi 20 sosh, madje as aktorët e Teatrit që mbanë emrin e Bekimit. E tmerrshme, por më e paciptë ishte kur pas disa minutave të fillimit të filmit nga salla dolën dy deputetët, të cilët u panë duke pirë kafe e muhabet rreth aktivitetit zgjedhor, dhe drejtori i kulturës e pak më vonë edhe ata të rinjtë që i sollën organizatorët. Deri në mbarim të filmit salla mbeti gati e boshatisur. Çfarë mjerimi kulturor në të quajturin “Qyteti i kulturës” dhe “kryeqytet historik shqiptar” ?
Paraprakisht u habita pse këtë ngjarje po e organizon një OJQ për të cilën mësova se i është dhënë në menaxhim Muzeu i Nënës Terezë në Prizren, edhe pse është fjala për vlerë kombëtare dhe me këtë duhet të merren institucionet shtetërore e jo OJQ. Për herë të parë dëgjova dhe mësova se edhe OJQ mund ta menaxhojnë muze me vlerë të tilla kombëtare,
Ndonëse, dorën në zemër, hapja e këtij muzeu në Prizren, ndërtimi i të cilti ka nisur qysh para 15 vitesh, ka qenë dështim i madh sepse në objektin e vendosur, për të cilin janë shpenzuar me qindra mijëra euro, në katin përdhes nuk ka asnjë artefakt të Nënës Terezë, pos disa fotokopjeve të letrave e shkresave të ndryshme të vendosura nëpër mure, kurse kati i parë është bosh. Veçmas kur dihet se Muzeu i saj gjendet në Shkup me të gjitha artefaktet që i kanë takuar asaj. Dhe së dyti, si është e mundur që muzeu i njëjtë të hapët 100 km larg nga ai i Shkupit dhe pa asnjë artefakt të Nënës Terezë. Në fakt ky muze, që nga përurimi para dy vitesh, kurrë nuk është hapur për vizitorë, por edhe këto ditë shkova për ta vizituar mirëpo, dera ishte mbyllur. Ashtu siç janë të mbyllura edhe dyert e muzeve tjerë të paktë të Prizrenit (për të cilët institucionet vendore e ndërkombëtare kanë dhënë mjaft para për aftësimin dhe mirëmbajtjen e tyre) i cili si “kryeqytet historik nuk e ka Muzeun e vet historik, as filmin dokumentar, as monografinë!
II/ Rasti i dytë është i ashtuquajturi FESTIVALI (apo më mirë të themi koncerti) “ZAMBAKU I PRIZRENIT” i cili sivjet u mbajt për 36 herë nga themelimi, më 1986. Atëherë Festivali zgjaste tri net (nata e parë eliminuese, nata e dytë –zambaku për fëmijët dhe nata e tretë finalja, kurse nga vitet e 90-ta natën e parë emetoheshin këngët fituese të festivaleve të mëhershme dhe natën e dytë nata e këngëve garuese). E quajtën festival ndonëse zgjati vetëm një natë, kurse kudo në botë, ky nuk quhet FESTIVAL por KONCERT. Meqë edhe organizatorët e dinë, ose duhet ta dinë se festivalet zgjasin 3 e më shumë ditë, siç ka ndodhur edhe me këtë festivali që nga themelimi e deri në okupim, vitet e 90-ta, por edhe pas luftës disa herë është mbajtur dy net, me shumë dështime e mungesë profesionalizmi, që edhe e degradon këtë festival me renome të Kosovës. Dhe nuk e di se kujt i duhet një lojë e tillë?
Organizator të “Festivalit…” prej themelimit deri vitet e 90-ta ka qenë Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës me Komunën e Prizrenit e cila edhe ka qenë financuesi kryesor dhe RTP si transmetuese e festivalit. Pas okupimit të Kosovës, festivalin në kushte të rënda e ka organizuar SHKA Agimi me ndihmën e shumë donatorëve privat.
Por kësaj radhe, siç morëm vesh nga prezantuesja e koncertit, organizatore është komuna e Prizrenit, e cila e paska themeluar OJQ “Zambaku i Prizrenit” me dy drejtues, kurse financiarisht e ka ndihmuar MKRS dhe Drejtoria e Kulturës e Prizrenit dhe RTK si sponsor medial, por jo edhe ndonjë firmë a kompani private e qytetit a Kosovës, siç ndodh kudo në rajon për manifestimet e tilla.
“Zambaku…” u mbajë më 26 shtator, e dihet se në bazë të emrit që e mban, do të duhet të mbahej në pjesën e dytë të qershorit apo fillim të korrikut, kur qel kjo lule e njohur, simbol i qytetit. Pra kur vendosin pushtetarët, që nuk kanë njohuri e që turpërohen të pyesin, ai ka mundur të mbahet edhe në janar. Edhe skenografia ishte jo adekuate, sepse lulja e zambakut ishte me ngjyrë të kuqe, e jo të bardhë, e nuk figuroj as emblema e SHKA Agimi. që është një absurd i llojit të vet. Dhe “Festivali” nuk u hap me këngën kulte të Lilana Çavollit “O zambaku i Prizrenit”, Koncerti, që u mbajt në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Prizren e cila, sipas meje dhe të tjerëve, ishte e vogël për t’i pranuar të gjithë të interesuarit e jo, bie fjala, në Qendrën sportive, meqë Prizreni nuk ka sallë me kapacitet të madh. Ndonëse për rinovimin e Shtëpisë së Kulturës, e përfunduar në maj/qershor të këtij viti, janë shpenzuar mbi 600.000 euro (sipas informatave jo zyrtare), por pa ndonjë ndryshim thelbësor të objektit, pos fasadës dhe disa ndryshimeve të vogla brenda. Kurse salla e madhe ka mbetur e paprekur, veçmas skena e cila ka pas nevojë për ndërhyrje. U kënduan 15 këngë që garuan për tri vendet e para dhe për Zambakun e argjendtë, të vlerësuara nga juria profesionale 4 prej anëtarësh. Të gjitha ishin të cilësisë së lartë edhe për nga tekstet, zëri dhe interpretimi me përcjelljen e mrekullueshme të orkestrës.
Edhe kësaj radhe kur mbahen manifestimet, koncertet a ngjarjet kulturore po ndodh që zyrtarët kryesor të qytetit, kryetari sidomos, të vonohen rregullisht 15 minuta për çka edhe po vonohet fillimi i paraparë i ngjarjeve. Kjo praktikë duhet të flakët dhe organizatorët e ngjarjeve kulturore duhet në orën e caktuar ti mbyllin dyert e sallës. Njëkohësisht duhet të flaket praktika që politikanëve a zyrtarëve vendas (komunal e qendror) tu rezervohen vendet e rendin e parë. E veçmas që për ngjarjet që e ka ndihmuar financiarisht komuna a qeveria tu shprehet mirënjohje e lëvdata thua se ata i kanë dhënë paratë e veta e jo të taksapaguesve të qytetit a shtetit. Kjo i bie sikur me iu falënderuar bankomatit nga i cili i tërheq paratë tua. Vendi i tyre është në publik, kurse në rendin e parë duhet të ulën njerëzit e kulturës krijues dhe veprimtarë kulturor të të gjitha fushave.
Dhe në fund shtrohet pyetja: a duhet të mbahet ky festival në këtë formate dhe skenarë e të shpenzohen kot paratë e qytetarëve apo duhet gjetur formën e organizimit adekuat me skenarë burimor . Ose duhet të pushoi së ekzistuari siç pushoi edhe Festivali Akordet e Kosovës , me qëllim të caktuar që të shlyhet trashëgimia kulturore nga e kaluara e afërt. Dhe pse në te si mysafir special të ftohen të marrin pjesë themeluesit dhe kontribuuesit që ende janë gjallë. Pse ky diletantizëm dhe sjellje adoleshente e drejtuesve komunal që vlerat e tilla kulturore tu jepen në menaxhim OJQ, e jo këtë ta bëj vet institucioni përkatës komunal – DKRS me ekipin “ad hok” profesional, kur dihet se në Prizren ka shumë njerëz profesionist dhe kompetentë jo vetëm për veprimtaritë e kulturës, por për çdo veprimtari tjetër. Apo ata janë të dyshimtë se nuk u takojnë partive në pushtet. Meqë në Kosovë që nga pas lufta po ndërtojmë institucione dhe shtet partiak? Prandaj të dyja këto ngjarje kulturore brenda një muaji lanë shije të hidhur që qyteti dhe qytetarët e Prizrenit këtë nuk e meritojnë
P. S. Ky shkrim me ton kritik është qëllimmira për eliminimin e dobësive në organizimin e ngjarjeve kulturore, e jo hakmarrje ndaj dikujt siç është zakon të vlerësohet e spekulohet.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull