Ogerta Manastirliu do të jetë kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, pas burgosjes së kryetarit aktual Erion Veliaj.
Kjo u bë me dije nga vetë kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë socialiste.
Në fjalën e tij në Asamblenë e PS-së, Rama renditi arritjet e Manastirliut në postet që ka mbajtur deri tani.
“Qytetarët e Tiranës nuk munnd të presin më as shtatë ditë të tjera pa e ditur se çfarë do bëhet me drejtimin e bashkisë. Ogerta Manastirliu është njeriu që i duhet sot Tiranës”, tha Rama.
“Sot kemi një kryetar bashkie i zgjedhur tre herë, i dënuar jo për detyrën si kryetar. I janë nxjerrë edhe biseda me familjarët nga telefoni i burgut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik. Diktatorial, jo e jo. Është shkelja më e hapur dhe më flagrante në shpërdorim të detyrës, nga ana e tyre që duhet të mbajë nën kontroll hetimet.
Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta, përditë e përnatë. Nuk i heq asnjë meritë kryetares në detyrë për sa ka bërë në këto 7 muaj. E falënderoj për përkushtimin. Por sot ne duhet të marrim një vendim politik, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë në Tiranë.
Mendoj se Ogerta Manastirliu është njeriu i duhur për drejtimin e Bashkisë Tiranë”, u shpreh kryeministri.
Kandidimi i Manastirliut vjen vetëm një ditë pasi SPAK çoi për gjykim dosjen e kryetarit aktual të Bashkisë, Erion Veliaj.