Seanca parlamentare e planifikuar si një maratonë politike për prezantimin e programit qeverisës “Rama 4” përfundoi në më pak se gjysmë ore për shkak të kaosit të shkaktuar nga opozita.
Deputetët e Partisë Demokratike, në vend të një debati me argumente, zgjodhën të bllokojnë foltoren, të përplasin duart mbi tavolina dhe të hedhin shishe uji dhe madje edhe libra të rregullores drejt kryeministrit Edi Rama dhe anëtarëve të kabinetit të ri.
Por ndryshe nga seancat e zakonshme, kjo seancë u zhvillua edhe nën sytë e ambasadorëve të huaj, duke përfshirë edhe ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura. Ky i fundit, në një moment që ka bërë xhiron e mediave, është parë teksa vendos duart në kokë, i tronditur nga skenat e dhunës që po zhvilloheshin para syve të tij.
Megjithatë, ndërsa Kuvendi u kthye për pak minuta në një “arenë lufte”, programi qeverisës dhe kabineti “Rama 4” u miratuan me 82 vota pro, në një prej seancave plenare më të shkurtra , e ndoshta edhe më absurde në sytë e të huajve./ TemA (S.P)