Këshilli Bashkiak vendosi që ta shkarkojë nga detyra, Erion Veliaj në kërkim të lirisë, lëvizja e radhës së kryebashkiakut

2 Minuta Lexim

Gjykata e Lartë ka vendosur datën për të shqyrtuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Mësohet se gjyqtarja Albana Boksi do të vendosë më 2 tetor lënien në fuqi të masës “arrest me burg” për Veliajn, apo një masë më të lehtë sigurie ashtu sikurse dhe ai e ka kërkuar.

Kjo “lëvizje” e kryebashkiakut ka ardhur pas mbledhjes së një dite më parë në selinë rozë ku anëtarët e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak vendosën që të procedojnë me kërkesën për shkarkimin e Veliajt.

Ata aktivizuan nenin 62 të qeverisjes vendore, e cila ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë të kryetarit prej 3 muajsh. Kërkesa u firmos nga të gjithë këshilltarët socialistë të pranishëm në mbledhje ndërkohë që më 23 shtator do të mbajnë mbledhjen e radhës ku dhe pritet të votojnë për shkarkimin e qytetarit të parë të Tiranës.

Lidhur me këtë vendim reaguan edhe avokatët e Veliajt, të cilët thanë se klienti i tyre nuk mund të shkarkohet për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë kundër tij dhe për sa kohë nuk është arrestuar në flagrancë, duke kryer një krim në detyrë.

Avokatët thanë se Veliaj ka të drejtën të ankohet në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të qeverisë për shkarkim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull