Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi tha se PS është në përgatitje të vazhdueshme për zgjedhjet e ardhshme dhe rruga për zgjedhjet e pjesshme në të 6 bashkitë që do të jenë në garë tashmë është e shtruar.
“Jemi të gatshëm për garën e Tiranës që besoj do të jetë e fortë. Presim dhe opozita të ketë kandidatin e saj. Por duket se kjo është e vështirë për ta. Është fatkeqësi për vendin që kemi një opozitë, e cila nuk arrijnë të gjejë kandidatë, pasi kandidatët po i tërhiqen nga gara.”, tha Klosi në emisionin “Trialog” në RTSH.
Sipas tij, PS dëshiron që Tirana të qeveriset me forca të plota sepse jo vetëm është edhe fushë-beteja më e rëndësishme politike, por kryeqyteti pikë së pari ka nevojë të qeveriset.
“Procesi i ndalimit të Veliajt pa asnjë shkak ishte problem. Kjo situatë zgjat prej 7 muajsh. Ndalimi Ishte jo i drejtë ndalimi. Meritonte hetim në gjendje të lirë dhe më pas të gjykohej. Heqja në mënyrë brutale e lirisë nuk ishte e duhur. Nga ana tjetër ne nuk mund të prisnim pa fund. PS nuk ndërhyn tek drejtësia, por Tirana ka nevojë për qeverisje. Drejtësia ka punën e saj, ne kemi detyrë të qeverisim. Manastirliu është një figurë shumë e mirë për qeverisjen e Tiranës.”, tha Klosi.