“Komisioni për Integrimin jo në drejtimin e opozitës”, reagon delegacioni i BE

2 Minuta Lexim

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar në lidhje me ndryshimin e pritshëm të funksionimit të Komisionit për Çështjet Evropiane në Kuvendin e Shqipërisë, duke dhënë një qëndrim zyrtar për Euronews Albania, të pyetur nga gazetarja Enkelejda Mema.

Në përgjigjen e saj, BE thekson rëndësinë kyçe që Parlamenti i Shqipërisë ka në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në avancimin e reformave të nevojshme për këtë qëllim.

“Parlamenti i Shqipërisë është një institucion kyç për çuarjen përpara të agjendës së reformave që lidhen me BE-në dhe konsolidimin e progresit të arritur deri tani në kontekstin e procesit të anëtarësimit.”-thotë delegacioni në reagim.

Ndërkohë që priten zhvillimet në lidhje me konstituimin e strukturave të reja parlamentare, Delegacioni i BE-së thekson pritshmërinë që integrimi në BE të vijojë të jetë një përparësi ndërpartiake, duke i dhënë një rëndësi të veçantë konsensusit politik.

“Në këtë drejtim, presim me padurim hapat konstituivë të parlamentit të ri, si dhe presim që integrimi në BE të mbetet një përparësi ndërpartiake për ligjvënësit në legjislaturën e re parlamentare.”-vijon delegacioni në reagim.

Në përgjigje të pyetjes nëse ndryshimet e mundshme në drejtimin e Komisionit për Çështjet Evropiane, nga opozita drejt shumicës, mund të përjashtojnë apo reduktojnë rolin e opozitës në procesin e integrimit, BE-ja nënvizon nevojën për bashkëpunim të të gjitha forcave politike.

“Për të qenë i suksesshëm, anëtarësimi ka nevojë për konsensus ndërpartiak.”-thotë delegacioni.

Kjo përgjigje vjen pas shqyrtimit të propozimeve për ndryshime në Komisionet Parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë. (Euronews Albania)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull