Shqipëria dhe Bashkimi Europian janë në hapat e fundit të përgatitjes për konferencën ndërqeveritare që zyrtarizon çeljen e kapitujve të mbetur të bisedimeve të anëtarësimit.
Burime të besueshme i thanë televizionit publik se data e projektuar është ajo e 16 shtatorit. Në pritje edhe të miratimit nga parlamenti i Holandës, në Kuvendin e Shqipërisë, Komisioni për Çështjet Europiane shqyrtoi pak ditë më parë projektpozicionin negociues të Shqipërisë për Grupimin e pestë të kapitujve: “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”.
Mbajtur me kërkesë të posaçme, pozicioni i miratuar nuk ka qenë publik as në diskutime dhe as në variantin e tij përfundimtar.
Televizioni publik ka siguruar dokumentin paraprirës të Grupkapitullit V. Për pesë kapitujt e tij, përkatësisht Kapitulli 11 “Bujqësia dhe zhvillimi rural”, Kapitulli 12 “Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare”, Kapitulli 13 “Peshkimi dhe akuakultura”, Kapitulli 22 “Politika rajonale dhe bashkërendimi i instrumenteve strukturore” dhe Kapitulli 33 “Dispozitat financiare dhe buxhetore”, situata më e fundit ligjore dhe në terren, e rakorduar mes Bashkimit europian dhe Shqipërisë, konstatonte përafrime të pjesshme me legjislacionin europian.
Në pritje të publikimit të pozicionit negociues të përbashkët pas mbajtjes së Konferencës ndërqeveritare, adresimet e bisedimeve do të duhet t’i jenë referuar pikërisht dokumentit “screening” të nëntorit 2023.
Në bazë të tij, për kapitullin 11 sfida e Shqipërisë është mbështetja e zhvillimit rural. Me fokus financimin e shpenzimeve bujqësore, skemat e mbështetjes bujqësore, menaxhimin dhe monitorimin e shpenzimeve bujqësore, sistemin e integruar të administrimit dhe kontrollit, rrjetin e të dhënave të qëndrueshmërisë së fermave dhe ndihmat shtetërore, kërkesa shtrihet edhe për mekanizmat tregtarë, kryesisht masat e magazinimit dhe të mbështetjes së jashtëzakonshme sipas organizimit të përbashkët të tregut pas anëtarësimit.
Niveli i kërkuar adreson edhe kulturat e punueshme, qumështin dhe produktet e qumështit, mishin e viçit, delet dhe dhitë, mishin e derrit, shpendët, vezët, mjaltin dhe frutat e perimet, ndërsa është pjesërisht në përputhje me kulturat për verën, verën e aromatizuar dhe pijet alkoolike, vajin e ullirit dhe kakaon, çokollatën, kafenë, lëngjet e frutave dhe reçelet e në përgjithësi për politikën e cilësisë me disa ngjashmëri me skemën e BE-së.
Legjislacioni i Shqipërisë është pjesërisht i përafruar me legjislacionin e BE-së për bujqësinë organike dhe produktet shtazore. Në të gjithë kapitujt, masat antikorrupsion vlerësohen të përfshira në legjislacion dhe institucione me qëllimin qendror që mbështetja e konsiderueshme publike në bujqësi dhe zhvillim rural të jenë të mbrojtura nga mashtrimet, me të vetmin rekomandim që të monitorohen në mënyrë të besueshme dhe të ndërmerren veprime korrigjuese aty ku raportohen probleme./rtsh.al