Mbledhja e Këshillit Bashkiak, eksperti: Veliaj ka të drejtë kushtetuese për t’u dëgjuar, qoftë edhe online

4 Minuta Lexim

Agron Haxhimali, nga Instituti për Qeverisjen Vendore, u shpreh se Erion Veliaj ka të drejtë kushtetuese të dëgjohet nga Këshilli Bashkiak përpara se të vendoset shkarkimi i tij, qoftë fizikisht, online apo me shkrim.

Në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, eksperti tha se kjo është një çështje serioze që kërkon transparencë për opinionin publik, ndërsa shtoi, se Këshilli Bashkiak duhet të tregojë lartësinë institucionale për një vend demokratik.

“Këshilli Bashkiak ka të drejtë legjitime të propozojë pranë Këshillit të Ministrave shkarkimin e Veliajt bazuar në mungesën e tij prej 3 muajsh në punë. Këtu nuk ka ekuivok për sa kohë ligji nuk thotë me arsye pa arsye. Komunikimi për në figurë të tillë për një të zgjedhur për një bashki kaq të madhe dhe për një vend demokratik që duhet të dëshmojë se ky institucion funksionon, jo me ato letra që dërgojnë, por ai Këshill Bashkiak është në probleme shumë serioze. E para është vonuar shumë në kohë, në momentin që këshilltarët demokratë kanë çuar shkresën për ta shkarkuar ata duhet ta fusnin në rend të ditës dhe ta mbyllnin atë kapitull por nuk funksion.

Te kërkesa e Veliajt është në të drejtën e tij kushtetuese që për një çështje që atakohet dhe ka punuar me atë këshill të kërkojë të dëshmojë, sikundër edhe këshilli bashkiak, edhe pse ligji nuk ka detyrim kushtetues për ta ftuar, por si institucion i hapur përfaqësues duhet ta ftonte kohë atë kryetarin e saj, pasta çështja a merr leje a jep prokuroria leje nuk është çështje këshilli. Këshilli duhet të ishte në nivelin më të lartë institucional kushtetues. Në mungesë të prezencë fizike ai mund të dëgjohet online ose përmes shkresave, kjo nuk ka të bëjë me personin por me faktin se opinioni publik duhet të qartësojë me veshët dhe sytë e tij si është kjo situatë.”, tha Haxhimali.

Sipas Haxhimalit, letra e dërguar nga sekretari i Këshillit Bashkiak, pa u zhvilluar një mbledhje dhe votim mbi kërkesën e Veliajt për t’u dëgjuar, nuk është legjitime, pasi këshilli nuk është organ monokratik dhe vendimet duhet të merren me shumicë votash.

“Rasti me sekretarinë e këshillit është problem shumë i madh, kjo është çështje serioze nuk mund të kalojë shkarazi. Këshillit nuk është organ monokratik, ku kryetarja vendos me veten e vetë dhe i thotë sekretarit çoje këtë letër. Por ajo duhet të mblidhte të gjithë këshillin që të trajtonin këtë çështje dhe me shumicë votash vendosin ta ftonin apo jo”, thotë eksperti.

Këshilli Bashkiak do të mbajë këtë të martë, 23 shtator, mbledhjen për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut, që do  i hapë rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë më të madhe në vend.

Vetë Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim pasi hetimeve nga SPAK, ka kërkuar të jetë prezent në mbledhje, ndërsa thotë se nuk është njoftuar zyrtarisht nga Këshilli Bashkiak për këtë mbledhje. Nga ana tjetër Sekretari i Këshillit iu përgjigj kërkesës së Veliajt se në rast se kryebashkiaku nuk mund të paraqitet fizikisht në mbledhje, mund të dërgojë pretendimet me shkrim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull