Mediat greke jehonë kandidates së ‘Shqipëria Bëhet’: Një zë i ri për helenizmin në Parlamentin shqiptar

4 Minuta Lexim

Portali grek ‘apenadi.blogspot.com’ i ka bërë jehonë futjes në parlamet të kandidates së ‘Shqipëria Bëhet’, Anna Partali-Daiko, e cila do të jetë përfaqësuese e Adriatik Lapajt në Kuvendin e Shqipërisë. Në një shkrim botuar ditën e djeshme, futja e deputetes Partali-Daiko shihet si një zë për helenizimin në Parlamentin shqiptar.

Më poshtë shkrimi i plotë:

Që nga nesër, helenizmi i Shqipërisë fiton një përfaqësim të ri dhe të veçantë në Parlamentin e vendit. Anna Partali–Daiko, me origjinë nga Simatati i Leshnicës së Poshtme, do të ulet në karriget parlamentare, duke përfaqësuar nismën “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt. Ky zhvillim shënon një moment historik për Leshnicën, pasi pikërisht një shekull pas zgjedhjes së Nikola Ev. Lezos në vitin 1925, një tjetër bashkëvendës merr rol në skenën më të lartë politike të vendit.

Prania e Partali–Daikos ka simbolikë të veçantë, sepse ajo nuk vjen nga nomenklatura tradicionale partiake që formësoi politikën pas rënies së regjimit të Hoxhës. Përkundrazi, ajo vjen nga një familje që përjetoi përndjekjet dhe shtypjen e tri brezave. Është vajza e Kostas Partalit dhe Nica Meliut (nga fisi i Nikollao Meliut), si edhe bashkëshortja e Spiro Daikos, me origjinë nga Shën Vasili i Himarës.

Trashëgimia e saj politike dhe historike është e rëndësishme. Gjyshi i saj, Vasil Partali, i njohur me nofkën “Liatua”, u sakrifikua për bindjet e tij greko-ortodokse dhe vdiq në qelitë e burgut famëkeq të Spaçit. Po kështu edhe familja e bashkëshortit të saj u përndoq rëndë nga regjimi komunist, ndërsa vjehrri i saj ishte bashkëvuajtës me gjyshin e saj në të njëjtin kamp.

Hyrja e Partali–Daikos në Parlament nuk ishte pa peripeci ligjore. Më 25 gusht, KQZ-ja e Shqipërisë miratoi vendimin e Komisionit të Apelimit dhe Sanksioneve (KAS), duke i dhënë mandatin e vetëm të nismës “Shqipëria Bëhet” kandidates së parë të listës zgjedhore, Annës Daiko. Kreu i nismës, Adriatik Lapaj, kërkoi të ndryshonte aplikimin dhe të transferonte mandatin te kushërira e tij, Kleana Xhuveli, por KQZ-ja mbeti e palëkundur, duke garantuar mandatin parlamentar për Partali–Daikon.

Zgjedhja e saj nuk lidhet vetëm me një emër të ri në politikë. Për Leshnicën dhe helenizmin në Shqipëri, ky është një moment i drejtësisë morale, pasi një grua që mban mbi supe kujtimet dhe sakrificat e brezave të mëparshëm, merr përsipër të përfaqësojë një komunitet me rrënjë të thella e histori të gjatë. Simbolika e njëqind vjetëve nga përfaqësimi i parë parlamentar të një bashkëvendësi e rrit edhe më shumë peshën e momentit.

Vëllazëria e Leshniciotëve, me një deklaratë, përshëndeti zgjedhjen e Annës Partali–Daiko, duke theksuar se do të jetë në krah të saj në çdo hap. “Do të jemi pranë saj në të gjitha përpjekjet për demokratizimin e Shqipërisë dhe të shoqërisë sonë atje”, – theksoi kryetari i Vëllazërisë, Jorgo St. Zioŋgas.

Me betimin e saj, deputetja e re është thirrur të tregojë se brezi i ri i politikanëve mund të ndërthurë respektin për kujtesën historike me kërkesën për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Sfida është e madhe, por shpresa që ajo ngjall si për minoritetin grek, ashtu edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi, është edhe më e madhe.

Shkrimin e plotë e gjeni nëhttps://apenadi.blogspot.com/2025/09/nea-foni.html?m=1

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull