Melania Trump tërhoqi për një tjetër herë vëmendjen me zgjedhjen e saj, duke u paraqitur me një fustan të verdhë të markës Carolina Herrera gjatë darkës zyrtare në Kështjellën e Windsor, pranë Mbretit Charles dhe Mbretëreshës Camilla. Fustani me shpatulla jashtë, rripin në ngjyrë lejla dhe vathët smeraldë provokuan komente të shumta, me shumë kritikë mode që e vlerësuan paraqitjen si “e pazakontë” për një mbrëmje të këtij kalibri.
Disa komentues e krahasuan ngjyrën e fortë të veshjes me “vezë të Pashkëve” apo edhe me “banane”, ndërsa të tjerë vërejtën se kombinimi i ngjyrave ishte i ngarkuar dhe pa harmoni.
Ndërkohë, sytë e publikut dhe të mediave u kthyen edhe te përzgjedhja e Kate Middleton, Princesha e Uellsit, e cila zgjodhi një fustan tradicional krem me dantellë të artë nga Phillipa Lepley, të kombinuar me t’iarën klasike Cambridge Lover’s Knot dhe një çantë me perla një pamje që mishëron elegancën mbretërore dhe trashëgiminë.
Sipas stilistes Liz Taitz, ngjyra e verdhë shpesh lidhet me optimizmin dhe ndoshta kjo ishte arsyeja pas zgjedhjes së zonjës Trump. Megjithatë, stilistja e famshme Samantha Brown vlerësoi se elementi më shqetësues ishte kontrasti i fortë mes fustanit të verdhë, rripit lejla dhe aksesorëve të gjelbër, duke krijuar një paraqitje që “e zhvendos vëmendjen nga vetë personi”.
Në rrjetet sociale, opinionet ishin të ndara. Disa e kritikuan ashpër veshjen, duke e cilësuar si “e thjeshtë” apo “jo e denjë për një darkë zyrtare”, ndërsa të tjerë vlerësuan guximin dhe dëshirën për të sjellë një frymë më të lirshme në një ambient tradicionalisht të rregulluar.
Ndërsa Kate Middleton mbeti besnike stilit klasik dhe të rafinuar të monarkisë britanike, zgjedhja më e guximshme dhe moderne e Melania Trump sinjalizoi një qëndrim më personal dhe ndoshta disi sfidues ndaj kodit të pashkruar të veshjeve mbretërore. /E.K
