Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës ftesë fermerëve: Bëhuni pjesë e projekteve dhe eksportoni produktet tuaja

2 Minuta Lexim

Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sulaj zhvilloi këtë të shtunë, më 6 shtator, një dëgjesë publike në Baldushk me fermerët dhe blegtorët e zonës.

“Baldushkun e njoh mirë. Është një nga fshatrat më të bukur që ka sot jo vetëm Tirana, por edhe gjithë Shqipëria”, tha Sulaj, sipas një njoftimi nga Bashkia.

Gjatë fjalës së tij, ai tha se fokusi i bashkisë është që të gjithë produktet e zonës të jenë konkurruese dhe të promovohen në tregjet në vend dhe më gjerë: “Produktet e zonës duhet të jenë konkurruese, të shiten dhe të konkurrojnë edhe me produktet e importit. Vetëm duke u bërë pjesë e projekteve që kemi krijuar, mund të arrijmë këtë”

Më tej ai theksoi mbështetjen konkrete nga bashkia dhe partnerët për fermerët, ndërsa u bëri thirrje që të aplikojnë dhe të përfitojnë nga ndihmat që mund të marrin.

“Bashkia e Tiranës ka grante për biznesin e vogël në zonat rurale dhe mbështet çdo iniciativë. Përmes partnerëve mund të merrni makineri bujqësore; fondet janë të hapura për t’u përfituar. Nuk është vetëm ndihmë që japim ne, por ndihmojmë njëri-tjetrin. Vetëm kështu produktet që dalin nga zonat rurale të Tiranës mund të jenë konkurruese jo vetëm në Shqipëri, por edhe për eksport. Regjistrohuni si fermer, aplikoni, bëhuni pjesë e projekteve dhe do të përfitoni shumë nga ndihmat që ju vijnë. Nuk është diçka që po jua jep shteti për t’u ndihmuar, ju e meritoni sepse shumicën e punës e bëni vetë”, deklaroi nënkryetari.

Në përfundim, Sulaj shtoi se të gjitha problematikat, nga ato më të voglat tek më të vështirat, do të zgjidhen nëse punohet me bashkëpunim: “Fokusi ynë është zhvillimi rural dhe mbështetja maksimale për fermerët dhe bujqësinë.”

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull