Kuvendi pritet të mblidhet nesër në një seancë maratonë për votëbesimin e ministrave të qeverisë ‘Rama 4’. Seanca mund të zgjasë deri të premten, ndërsa kryesocialisti Edi Rama do të prezantojë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme.
Programi, i cili është 59 faqe, mbështetet në tre shtylla kryesore: Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenia për të Gjithë.
Sipas qeverisë, anëtarësimi në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 mbetet prioriteti kryesor, ndërsa programi synon të forcojë shtetin e së drejtës, të modernizojë administratën digjitale, të zhvillojë ekonominë dhe të përmirësojë shërbimet për qytetarët.
Preambula e programit:
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 është misioni ynë kombëtar. Ai është kryefjala e çdo vendimi, boshti i çdo reforme dhe ëndrra e brezave që ne kemi marrë përsipër ta kthejmë në realitetin e brezit tonë. Ky nuk është një udhëtim protokollesh e ceremonish, por një proces i thellë shtetformimi, që e bën Shqipërinë më të drejtë, më të fortë, më moderne dhe më të denjë për të ecur krah për krah me kombet e zhvilluara të Europës.
Shqipëria Europiane është shtylla e parë dhe busulla që i jep drejtim çdo reforme. Anëtarësimi nuk është vetëm një objektiv diplomatik, por një proces transformues që forcon shtetin e së drejtës, modernizon administratën digjitale, rrit integritetin e shërbimeve publike, garanton sigurinë publike dhe kombëtare, dhe e vendos Shqipërinë në zemër të vendimmarrjes europiane. Europa është mbi të gjitha përfitimi i drejtpërdrejtë për qytetarët, në jetën e tyre të përditshme, në punën që bëjnë, shërbimet që marrin, të drejtat që gëzojnë dhe sigurinë që ndiejnë, si pjesë e një familjeje me 450 milionë anëtarë.
Rritja Ekonomike e Qëndrueshme është shtylla e dytë dhe rruga që kthen vizionin në realitet. Shqipëria e re ndërtohet mbi financa të shëndosha dhe tatime të ndershme, mbi një klimë të parashikueshme për biznesin dhe mbi një treg pune që hap dyer për të rinjtë. Ajo ngrihet mbi turizmin që nuk njeh më sezone, mbi bujqësinë dhe fshatin që modernizohen me teknologji, mbi energjinë e pastër që na kthen në eksportues të së ardhmes së gjelbër dhe mbi inovacionin që u jep hapësirë brezave të rinj për të krijuar e për të konkurruar. Më kryesorja, ajo shtyhet përpara nga një infrastrukturë moderne – porte, aeroporte, hekurudha dhe korridore rrugore që lidh Shqipërinë me rajonin, Europën dhe botën, duke e bërë vendin tonë një nyje të re zhvillimi.
Mirëqenia për të Gjithë është shtylla e tretë dhe kontrata jonë me qytetarët. Ajo është kujdesi për fëmijët e vegjël që rriten në çerdhe dhe kopshte më të mira, arsimi që lidhet me jetën reale dhe me Europën, shëndetësia falas dhe modernizuar, pensionet dinjitoze dhe shërbimet sociale që mbështesin ata që kanë nevojë. Është rinia që gjen punë dhe hapësira të reja, sporti dhe kultura që gjallërojnë përditshmërinë, mjedisi i mbrojtur dhe ekonomia e gjelbër që bëhen pjesë e zakoneve tona të përditshme.
Ky është programi ynë: Shqipëria Europiane, Shqipëria e Rritjes dhe Shqipëria e Mirëqenies, tre shtylla, një qëllim, një destinacion. Deri në vitin 2030, Shqipëria nuk do të trokasë më në derën e Europës, sepse dera do të jetë e hapur dhe ne do të jemi brenda, me dinjitet të plotë dhe me besimin e patundur se gjenerata jonë ka ditur t’i japë historisë shqiptare një fitore që nuk kthehet pas./ TemA (S.P)