Në orën 15:30, nga sheshi Roma, parada përshkoi qendrën e qytetit, duke kaluar nga sheshi Alfieri dhe sheshi 1 Maji, për t’u ndalur në parkingun Way Assauto. Pas përshëndetjes së Kryetarit dhe Nënkryetarit të Bashkisë së Astit, si dhe të kryetarëve e këshilltarëve të tjerë bashkiakë me origjinë shqiptare nga disa qytete të veriut, e mori fjalën edhe zyrtarja për Diasporën pranë Konsullatës së Shqipërisë në Milano, Znj. Luljeta Çobanaj, e cila në fjalimin e saj, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti, jo vetëm për popullin dhe komunitetet shqiptare, por edhe për lidhjet dhe urat që krijohen me vëllezërit tanë italianë.
Pas fjalimeve nga autoritetet e tjera institucionale të Astit, deri në orët e vona të mbrëmjes, u zhvillua një spektakël madhështor, me prezantimin e valleve shqiptare dhe instrumenteve tradicionale karakteristike, nën shoqërinë e grupeve folklorike dhe shoqatave të shumta, që erdhën jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga komunitete të ndryshme shqiptare, si: Torino, Modena, Brescia, Milano, Montebelluna, etj. Ndër të ftuarit ishin edhe këngëtarët: Mustafa Meja, Renato Jaho dhe Dj Beni 006.
Gjatë shfaqjeve artistike, pjesëmarrësit patën mundësinë të shijojnë gatimet tradicionale shqiptare, të shoqëruara me pije verërash nga rajoni i Piemontes, duke festuar kështu takimin mes kulturave dhe popujve, pa dallim gjuhe.
“Komuniteti ynë dëshiron të ndajë me qytetin e Astit rrënjët e veta, identitetin dhe traditat që kemi ruajtur ndër shekuj, pavarësisht një historie të shënuar nga pushtimet dhe emigracioni”, thanë organizatorët, të kënaqur nga pjesëmarrja e gjerë e komuniteteve të ardhura nga larg.
Ndërmjetësja kulturore, Sabina Darova shpjegoi se të gjitha veshjet në sfilatë, janë kostume popullore nga zona të ndryshme shqiptare, disa origjinale dhe të çmuara, si “Xhubleta”, një veshje artizanale prej leshi të zi, e qëndisur me motive që përfaqësojnë aspekte të ndryshme të jetës. Një veshje e përdorur kjo në Veri të Shqipërisë që daton mbi 3000 vite më parë dhe që është shpallur trashëgimi kulturore nga UNESCO.
Nga kjo veshje kemi dy ekzemplarë, të trashëguar brez pas brezi. Kurse disa kostume të tjera, janë riprodhuar në kohët moderne duke ruajtur traditat artizanale të hershme.
Manifestimi i 20 shtatorit ishte një rast feste midis miqsh, i cili bashkoi Shqipërinë dhe Piemonten, të mbështjellë me flamurin tonë, duke kënduar së bashku himnet kombëtare.
“Gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare