Përplasje në seancën për çështjen “Partizani”, gjyqi shtyhet më 13 tetor

3 Minuta Lexim

Në seancën e radhës për çështjen “Partizani”, Gjykata refuzoi kërkesën e mediave dhe të Jamarbër Malltezit për regjistrimin e plotë të procesit, duke lejuar vetëm filmimin e momenteve të nisjes së seancës.

Malltezi e kundërshtoi këtë vendim, duke e cilësuar të nevojshme transparencën e plotë dhe jo pamje të pjesshme “për show”.

Avokati Sokol Hazizaj, përfaqësues ligjor i kompanisë “Homeplan” dhe i Fatmir Bektashit, kërkoi pavlefshmërinë e një sërë aktesh, duke argumentuar se procesi ka karakter politik dhe se kallëzimi është bërë nga një subjekt politik ndaj një subjekti tjetër politik. Ai theksoi se provat janë të pavlefshme, përfshirë procesverbalet e sekuestrimeve dhe disa ekspertiza të kryera nga Prokuroria e Posaçme.

Hazizaj vuri në dukje se provat e sekuestruara nuk janë individualizuar për secilin subjekt, duke theksuar se “nëse pranohen në këtë formë, atëherë do të duhej që të gjithë ata që kanë blerë prona nga ‘Homeplan’ të ishin të pandehur”. Sipas tij, kjo situatë cenon parimin e identifikimit të saktë të provave për çdo individ apo subjekt.

“Ky proces ka dy shtylla. Njëra është e karakterit politik, pasi kallëzimi është bërë nga një subjekt politik dhe ndaj një subjekti politik. Duke qenë se unë përfaqësoj ‘Homeplan’, kërkoj pavlefshmërinë e akteve. Të gjitha provat duhet të konsiderohen të pavlefshme, përfshirë procesverbalet e sekuestrimit të materialeve dhe kompjuterit në studion ‘Pustina’. Kërkoj gjithashtu pavlefshmërinë e disa prej akteve të ekspertimit të kryera nga Prokuroria e Posaçme.

Sa i përket Fatmir Bektashit, nuk është bërë individualizimi i provave, ndryshe nga rasti i ‘Homeplan’. Të njëjtat prova janë instaluar edhe ndaj Bektashit, edhe ndaj kompanisë. Nëse gjykata i pranon këto dokumente, atëherë do të duhej që të gjithë ata që kanë blerë prona nga ‘Homeplan’ të konsiderohen të pandehur. Nuk mund të çmohen prova që nuk janë ndarë për secilin subjekt dhe nuk janë individualizuar.

Ky lloj teatri ka tre komponentë: rolin e gjykatës për t’i dhënë solemnitet procesit, rolin e prokurorisë për t’i dhënë vetes seriozitet, por mbetet e paqartë se si një i pandehur, si Fatmir Bektashi, mund të trajtohet njëkohësisht si individ dhe si subjekt juridik. Për këtë arsye, i kërkoj gjykatës një vlerësim serioz në kuptimin e papërdorshmërisë së provave,” tha Hazizaj, shkruan ‘Euronews’.

Ndërkohë, avokatja e Andia Pustinës, Klodjana Gjyzari, kërkoi pavlefshmërinë e sekuestrimit të disa sendeve, duke argumentuar se policia gjyqësore ka ushtruar kontroll pa vendim gjykate. Sipas saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar cenim të privatësisë në kontrollin e ushtruar në zyrën “Pustina”.

Prokurori i SPAK-ut, Arben Kraja, kërkoi kohë për t’u shprehur mbi pretendimet e mbrojtjes. Seanca e radhës u shty për më 13 tetor.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull