Kryeministri Edi Rama deklaroi se do të ketë një paketë të re ligjore, në lidhje me mbrojtjen e pronës dhe territorit.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të paketës ligjore, Rama u shpreh se ajo do të jetë në tryezën e qeverisë së re, si një ndër vendimet më të para.
“Për këtë paketë të re ligjore që do të prezantojmë është punuar me shumë intensitet nga një grup i gjerë ekspertësh, juristësh dhe me ndihmën e disa deputetëve që kanë pasur një aktivitet të lidhur me komisionin e ligjeve.
Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë punë që është zhvilluar gradualisht gjatë gjithë periudhës së verës dhe besoj shumë që duke bërë parantezën që padiskutim nuk është asgjë e përkryer, as kjo paketë nuk është e përkryer, por është një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumenta të reja për të mbrojtur territorin, duke filluar nga suksesi përfundimtar i një ofensivë që po do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme, ndoshta gjatë gjithë mandatit të ri, për ndalimin pa kthim të çdo shfrytëzimi për të ndërtuar pa leje, duke vazhduar deri te mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe që kur në Shqipëri ka filluar të ndërtohet, janë deformuar dhe përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyrja e ndërtuesve, gjë që sigurisht i kthen në praktikisht pothuajse formale vendimmarrjet që marrin njësitë përkatëse të qeverisjes vendore.
Dhe një tjetër pasojë e konsiderueshme mashtrimi që iu bëhet blerësve duke iu shitur objekte që ka marrë leje me pamjet e lejes të paraqitura”,- tha Rama.