Rama: S’ka vullnet në Kosovë për rezolutë të përbashkët kundër Speciales, një farsë që do lërë gjurmë

2 Minuta Lexim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për Gjykatën Speciale dhe procesin “Thaçi dhe të tjerët”.

Rama tha në një intervistë për Klan Kosova se nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, një rezolutë që tha se Shqipëria do t’i bashkohej menjëherë ndaj Gjykatës Speciale.

“Nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, një rezolutë përtej partive politike të cilës ne do t’i bashkoheshim menjëherë ndaj Gjykatës Speciale dhe ndaj gjithë kësaj farse sepse ka shumë farsë në këtë mes”, tha Rama.

Ai foli edhe për bisedat që i ka me ish-presidentin Hashim Thaçin, me të cilin tha se nuk dëgjohen shpesh.

“Hashimi dhe të tjerët dhe Parlamenti i Kosovës bënë një akt mirëbesimi. Nuk dëgjohemi shpesh [me Thaçin] por kam përshtypjen që ndjehemi gjatë gjithë kohës pa ndërprerje.”

Rama tha se historia e Gjykatës Speciale do të lë gjurmë tek vendet që e sponsorizojnë atë, e për të cilat tha se ka përshtypjen që në një moment do të zgjohen për ta reformuar këtë lloj sistemi.

“Pa shkuar në parashikime ogurzeza, e gjithë kjo histori është një histori shumë e trishtueshme dhe zhgënjyese që unë kam përshtypjen që do të lë gjurmë tek vendet që e sponsorizojnë këtë gjykatë dhe kam përshtypjen që në një moment të caktuar do të zgjohen për ta reformuar këtë lloj sistemi kaq zhgënjyes”.

“Por, fatkeqësisht, në momentin që flasim, nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër përveç se të ndjekim procesin duke shpresuar që në fund do të ketë një dritë ndërgjegjeje në momentin e marrjes së vendimit dhe nuk do të jetë deri në fund një tunel pa dritë si ky që ka qenë deri tani.”

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull